Kurti: Serbia nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara

Zagreb, 13 dhjetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur edhe nga Kroacia se prapa sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit qëndron Serbia. Ai ka thënë se në bashkëpunim me vendet aleate po ngrihen kapacitetet përgjatë kufirit me Serbinë për ta rritur sigurinë brenda Kosovës.

“Nervoza në Beograd po përkthehet në agresivitet kundër Kosovës”, ka thënë Kurti në konferencë për media me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Kurti është pyetur për protestat aktuale në Serbi dhe ndikimi që mund të kenë në procesin e negociatave me Kosovën. E ai ka thënë se Beogradi nuk ka nxjerrë mësime nga e kaluara e saj, teksa e ka quajtur Serbinë shtet paramilitar.

“Për një shekull e gjysmë në Serbi ka pasur vetëm nja dy vjet e gjysmë demokraci. Serbia nuk është shtet demokratik, nuk respektohet të drejtat e njeriut e as të pakicave. Estabilishmenti në Serbi nuk beson te pluralizmi politik, nuk ka sundim të ligjit e për këtë ka protesta të tilla të ashpra studentore… Janë kthyer në atë që e kemi ditur, shtet paramilitar. Te ne e çojnë Milan Radoiçiqin që të ndërmarrë aksione terroriste, ndërsa në Beograd i rrahin studentët. E dimë nga përvoja historike si përfundon kjo gjë, por duket se Beogradi nuk ka nxjerrë asnjë mësim nga e kaluara e vet. Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, prandaj kemi Marrëveshjen e Brukselit”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se duhet insistuar te Brukseli që të ushtrojë presion ndaj Beogradit për të respektuar marrëveshjet që çojnë drejt normalizimit. 

“Kosova është shtet normal, kemi rritje ekonomike të shquar nga 6% të bruto produktit vendor në 4 vjet e fundit, kemi progres demokratik, por marrëdhëniet tona normale duhet të përmbajnë edhe një Serbi normale. Këtu Brukseli mund të ndihmojë shumë më shumë sesa që bën aktualisht”, është shprehur ai.

E, kryeministri kroat Plenkoviq ndërsa ka përmendur sulmet nga grupe serbe në veri të Kosovës që nga viti i kaluar, ka thënë se nuk mund të pritet rezultat i shpejtë por se rëndësi ka që procesi të jetë paqësor dhe të ketë më shumë bisedime mes të dyja palëve.

“Besojmë te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që të rezultojë me normalizim dhe të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe funksionimin që çon te pozita që Kosova të ndërmarr rrugëtimin drejt BE-së. Janë pesë shtete të BE që nuk e kanë njohur Kosovën dhe ky proces mund të mos jetë i shpejtë”, ka thënë Plankoviq.

(Koha.net)

Comment

*