Pishtinë, 11 dhjetor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia po e kërcënon sërish Kososvën me luftë.
“Ajo që ne e dinim prej kohësh u shpërfaq në mënyrën më të egër të mundshme. 23 vjet nga përfundimi i luftës, Serbia kërcënon sërish me luftë dhe me rikthimin e forcave të saj ushtarake, të cilat kanë kryer gjenocid në Kosovë”, tha Kurti, të dielën, pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.
“Serbia nuk po e fsheh që kërkon të vazhdojë luftën që e humbi. Kjo përbën kërcënim të vazhdueshëm për shtetin tonë dhe paqen në vendin tonë”, tha ai.
Kurti tha se Beogradi zyrtar po flet e po sillet sot sikur para 23 vjetësh dhe theksoi se kjo është dëshmi se Serbia vazhdon të udhëhiqet nga e njëjta kastë politikanësh, me në krye Aleksandar Vuçiqin, ish-zëdhënësin e Sllobodan Millosheqivit.
Kurti tha se mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës u ra dakord që të ketë më shumë vigjilencë dhe gatishmëri nga të gjitha institucionet.
“Militarizimi i Serbisë na ka sjellë në këtë gjendje. Ky militarizim është kërcënim për gjithë rajonin tonë. Ne pas mbledhjes erdhëm në përfundim për më shumë vigjilencë”, theksoi ai.
Kryeministri Kurte tha se paqja në veri të vendit mbeti e brishtë dhe se pjesa veriore nuk u integrua asnjëherë, as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade të dialogut në Bruksel.
“Pako e Ahtisarit ishte kompromis i dhimbshëm, përmes së cilës komuniteti serb në Kosovë fitoi të drejta të garantuara e të zgjeruara. Integrimi i veriut nuk ndodhi as pas shpalljes së pavarësisë e as pas një dekade dialog në Bruksel”, u shpreh ai.
Kurti tha se Serbia, përmes grupeve kriminale dhe duke e shfrytëzuar mungesën e sundimit të plotë të ligjit në veri, i ka mbajtur dhe po vazhdon t’i mbajë peng qytetarët serbë.
Kurti i kritikoi edhe qeveritë e kaluara të Kosovës se kanë bashkëpunuar me kriminelët serbë, si Milan Radoiçiqi e Zvenke Veselenoviqi, me të cilët bëheshin marrëveshje edhe për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Ai foli edhe për shtyrjen e disa vendimeve të qeverisë së tij për veriun.
“Ne, në partneritet me BE-në dhe SHBA-të, kemi toleruar shtyrje disa herë të zbatimeve të vendimeve tona, por çdo shtyrjeje i skadon afati. Nuk kemi hequr dorë nga asnjë vendim që kemi marrë. Paligjshmëria nuk do të tolerohet në asnjë pjesë të vendit tonë”, theksoi ai.
Kurti tha se qeveria e tij është e përkushtuar për bashkëpunim me serbët e Kosovës dhe për realizimin e të drejtave tëtyre kushtetuese.
“Qeveria jonë është e interesuar për bashkëpunim me komunitetin serb në Kosovë. Ne duam që komuniteti serb të marrë pozitat që u takojnë me Kushtetutën tonë”, tha Kurti.
Ai u bëri thirrje serbëve të Kosovës që të distancohen nga grupet kriminale.
“Serbët janë qytetarë të Kosovës dhe duhet të distancohen nga grupet kriminale. Ne jemi qeveri e paqes që do ta ruajë sigurinë e të gjithë qytetarëve”, theksoi ai.
Ndërka, KFOR-it i bëri thirrje që të sigurojë lirinë e lëvizjes në gjithë vendin.
“Ne po presim. KFOR-i po kërkon pak kohë që të kryejë punë shpejt, prandaj ne po presim. Unë besoj që ne po zgjidhim rrugën më të mirë të mundshme”, theksoi ai.
Bashkë me kryeministrin Kurti, në konferencë u paraqit edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, i cili raportoi për situatën dhe incidentet e fundit në pjesën veriore të Kosovës.
(r.m.)