Kurti: Serbia po e pengon përparimin e rajonit drejt BE-së

Prishtinë, 5 mars 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia përbën kërcënim për Kosovën dhe për mbarë rajonin, prandaj NATO-ja dhe BE-ja duhet të adresojnë këtë njësoj siç e kanë adresuar agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës.

“Serbia, meqë nuk është interesuar që të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së, përpiqet që të bllokojë progresin e rajonit, me qëllim që ta mbajë prapa të gjithë rajonin. Bashkimi Evropian dhe NATO i janë përgjigjur me të drejtë agresionit rus dhe kërcënimeve të sigurisë ndaj Evropës, jo duke e qetësuar Putinin, por duke futur Finlandën dhe Suedinë në NATO dhe duke i dhënë statusin kandidat Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë. Kërcënimi i sigurisë ndaj Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të trajtohet duke përdorur të njëjtën qasje, duke i dhënë Kosovës statusin e kandidatit në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, ka thënë Kurti.

Kurti e ka bërë Serbinë fajtore edhe për pengimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës. Ai ka thënë se Kosova nuk është pranuar në Këshillin e Evropës jo për mungesë të demokracisë apo të mbrojtjes së të drejtave të njeriut e të komuniteteve pakicëe, por, siç është shprehur, “për sjelljen e një regjimi autoritar”.

Kurti ka thënë se regjimi autoritar në Serbi, i inspiruar dhe i mbështetur nga Rusia, ka sponsorizuar aktet terroriste në Kosovë

“Pikërisht këtu në rajonin tonë, ne shohim sesi një regjim autokratik në Serbi është turbocharguar nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Në dy vitet e para të qeverisjes sonë, ata sollën katërfishin e ushtrisë në kufirin tonë, sponsorizuan terrorizmin dhe vazhdimisht përhapnin gënjeshtra dhe narrativa të rreme për të justifikuar aktet e tyre agresive ndaj Kosovës dhe rajonit”, ka theksuar ai.

Kryeministri i Kosovës i ka bërë këto komente të hënën, në konferencën “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, në Prishtinë, e cila u organizua nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se diplomacia parlamentare është e nevojshme më shumë se kurrë për të ndihmuar Evropën të përballet me narrativat e vjetra në Ballkanin Perëndimor.

“Rruga drejt bashkëpunimit rajonal dhe euroatlantik nuk është pa pengesa. Ka ende ankesa historike, dallime politike dhe pabarazi socio-ekonomike, të cilat shpesh kërcënojnë të na ndajnë dhe jo të na bashkojnë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të promovojmë parimet e dialogut dhe gjithëpërfshirjes, të cilat janë thelbësore për ndërtimin e urave midis njerëzve dhe vendeve tona”, është shprehur ai.

(r.m.)