Prishtinë, 17 prill 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar ndalimin e qindra shtetasve të Kosovës në pikëkalimet kufitare të Serbisë me Kroacinë dhe Hungarinë si akt hakmarrjeje të Serbisë për votimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti në Twitter.
A day after @PACE_News voted in favor of 🇽🇰 membership in @coe, Serbia retaliates against 🇽🇰 civilians. Since this morning, over 300 of our citizens—incl. children—have been arbitrarily detained at the border, deprived of food & medication. A gross violation of human rights!
— Albin Kurti (@albinkurti) April 17, 2024
Prej të martës pak para mesnatës autoritetet serbe i kanë ndaluar qindra shtetas të Kosovës që po udhëtonin me autobusë dhe me automjete për në vendet e Bashkimit Evropian ose po vinin nga këto vende. Dëshmitarët kanë thënë se autoritetet kufitare u kanë thënë udhëtarëve se ndalimi i tyre bëhet me urdhër “nga lart”, por nuk kanë dhënë asnjë shpjegim.
Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar autoritetet e BE-së dhe të vendeve të QUINT-it për këtë akt të Serbisë, i cili vlerësohet si shkelje flagrante e marrëveshjeve të arritura në Bruksel dhe të konventave ndërkombëtare për të drejtat e liritë e njeriut.
(r.m.)