Mynih, 14 shkurt 2025 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sørensen, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, të premten.
Ky ishte takimi i parë i Kurtit me z. Sorensen, i cili e mori këtë detyrë pak ditë më parë, nga sllovaku Miroslav Lajçak.
Kabineti i Kryeministrit të Kosovës njoftoi se z. Kurti e ka njoftuar z. Sorensen me ecurinë dhe ngërçin e dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës e Serbisë, i cili lehtësohet nga Bashkimi Evropian.
Në njoftim thuhet se Kurti ka shpjeguar arsyet e ngecjes në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën e normalizimit të raporteve mes dy vendeve, me të cilën palët ishin pajtuar në Bruksel. Ai ka theksuar se procesi i dialogut nuk mund të ecë përpara pa tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq, përmes së cilës Serbia e refuzoi zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, dhe pa ekstradimin në Kosovë të Milan Radojçiqit, udhëheqësit të grupit të armatosur të serbëve që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit 2023.
“… kryeministri theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit të vitit 2023 dhe aneksit të saj. Në të njëjtën kohë, ai tha se kjo marrëveshje po vazhdon të shkelet e të mos respektohet nga Serbia, e cila gjithashtu refuzon nënshkrimin e saj dhe përmes letrës së ish-kryeministres Bërnabiq, praktikisht Serbia është tërhequr nga marrëveshja. Për të ecur përpara nevojitet nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimi i kryeterroristit Millan Radoiçiq, për të cilin tashmë ka aktakuzë 160 faqëshe nga Prokuroria e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e kabinetit të Kurtit.
Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti e ka njoftuar emisarin Sorensen edhe me progresin e Kosovës gjatë katër vhetëve të fundit, me gjetjet e raportit të fundit të BE-së për Kosovën që ka konstatuar progres në 36 nga 38 fushat e vlerësimit, si edhe me progresin në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe avancimin e të drejtave politike e lirive civile.
Në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih, Kurti është takuar edhe me Drejtorin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebraik (American Jewish Committee) ish kongresistin amerikan Ted Deutch. Në takim është diskutuar për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për mundësitë e zgjerimit të marrëdhënieve ndërmjet Izraelit dhe Kosovës.
Kurti është takuar edhe me kryetaren e Grupit të Miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Finlandës në parlamentin finlandez, Tytti Tuppurainen, e cila ka shprehur mbështetjen e saj për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për integrimin e saj në Bashkimin Evropian.
(r.m.)