Uashington, 21 maj 2022 – Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnere të pazëvendësueshme të Kosovës.
Kurti e ka bërë këtë deklaratë në takim me senatorin amerikan Ted Cruz, në Uashington.
Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka njoftuar se Kurti dhe senatori Cruz kanë shkëmbyer pikëpamjet mbi situatën gjeopolitike në Evropë pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Kryeministri Kurti e njoftoi senatorin Cruz për reagimin e qeverisë ndaj agresionit rus dhe për punën e qeverisë, me theks në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisjes së mirë, reformën në drejtësi dhe zhvillimin ekonomik, si dhe me rolin aktiv dhe në rritje të Kosovës në paqen dhe stabilitetin në botë, falë partneritetit të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet në komunikatë.
“Zhvillimi ekonomik dhe siguria kombëtare janë themelet e shoqërive prosperuese dhe prioritetet e Qeverisë së Republikës Kosovës”, citohet të ketë thënë Kurti.
Në njoftim thuhet se Kryeministri Kurti e ka njoftuar senatorin Cruz edhe për vizitën e tij në shtetin e Teksasit, prej nga vjen senatori Cruz.
(r.m.)