Prishtinë, 21 shtator 2021 – Ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë, bashkë me shefin e misionit të Bashkimit Evropian në Prishtinë, Tomas Szunyog, i kanë shkuar në zyrë Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të diskutuar lidhur me saituatën e krijuar pas vendosjes së reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.
Zyra e Kryeministrit bën të ditur se zoti Kurti ka thënë se reciprociteti nuk është as provokim dhe as diskriminim për askënd.
“Kryeministri Kurti i informoi ambasadorët se në asnjë vendkalim kufitar dje dhe sot nuk ka pasur incidente. Ai tha se vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”, thuhet në njoftim.
“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar”, citohet të ketë thënë Kurti, duke theksuar se njësitë speciale kanë shkuar atje vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.
“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata”, ka thënë Kurti, duke theksuar se liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet.
Kurti ka theksuar se të dyja shtetet tani janë të barabarta sa i përket çështjes së targave të automjeteve. Ai ka theksuar se ose të dy palët kanë të drejtë ose të dy palët janë gabim.
“Te ky reciprociteti i targave të përkohshme për vetura, ose Kosova dhe Serbia kanë të drejtë të dyja ose e kanë gabim të dyja. Pra, të dyja shtetet, edhe Kosova edhe Serbia, ose duhet t’i mbajnë ose duhet t’i heqin ato ato lloj targash”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se policët e vendosur në zonën pranë vendkalimeve kufitare me Serbinë janë në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe të sigurisë. Ai ka theksuar se qytetarët serbë s’kanë arsye të frikësohen.
“Masat e ndërmarra nuk janë kundër atyre dhe as kundër ndokujt tjetër. Policia nuk merret me nacionalitetin e udhëtarëve. Ajo i mbron dhe i respekton të gjithë qytetarët, pa dallim”, citohet Sveçla.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe kryeministri Kurti janë pajtuar se të dyja palët duhet të angazhohen për ruajtjen e paqes e qetësisë dhe të sigurisë e stabilitetit dhe kanë theksuar se palët duhet të vazhdojnë dialogun për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se të martën në mëngjes edhe ai kishte biseduar me ambasadorët e vendeve të QUINT-it për situatën e krijuar në pjesën veriore të Serbisë.
Ai ka thënë se ambasadorët kishin propozuar një zgjidhje kompromisi, të cilën ka thënë se kishte refuzuar.
“E kam refuzuar atë zgjidhje, sepse ajo nuk është zgjidhje kompromisi, por zgjidhje që do ta shkatërronte Serbinë”, ka thënë Vuçiq pa dhënë detaje për propozimin e ambasadorëve të QUINT-it.
“E kam refuzuar sepse jam ngopur me politikën e aktit të kryer. Me Serbinë nuk mund të flisni kështu”, ka theksuar ai.
(r.m.)