Kurti shpërfill sugjerimin e SHBA-së: Nuk dua të krijoj struktura paralele në veri të Kosovës

Bratisllavë, 31 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpërfilli kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që që kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës “të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale”.

Kurti tha se nuk mund t’i urdhërojë kryetarët e rinj shqiptarë të ushtrojnë detyrat e tyre jashtë objekteve komunale, sepse,sipas  tij, kështu do të legjitimonte strukturat paralele  serbe që veprojnë në Kosovë.

“Nëse tani do t’i urdhëroja kryetarët të kalonin në zyra të tjera, do t’i binte sikur po angazhohem në krijmin e strukturave paralele ndaj strukturave paralele”, tha Kurti një Forumin për Siguri Globale në Bratisllavë të Sllovakisë.

“Unë nuk mund të ulem në zyrë si kryeministër dhe t’iu them kryetarëve në veri: ju nuk duhet të qëndroni në objektet e komunës”, ka shtuar ai.

Kurti ka thënë se është i vetëdijshëm se kryetarët e rinj nuk kanë mandat politik dhe se mandati i tyre nuk do të jetë i plotë.

“Unë e di se mund të qëndrojnë shumë më shkurt se sa që është mandati i tyre. Ata janë teknikë, administrativë”, tha ai.

Kurti i mbrojti veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat e komunave në Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.

“Policia jonë po bën punë profesionale, janë të trajnuar, i dinë të drejtat e njeriut dhe nuk ka shkelje nga ana e Policisë sonë”, tha ai.

Kurti tha se ai është i gatshëm të diskutojë me serbët në veri për zgjedhje të parakohshme lokale në katër komunat veriore.

“Nëse duan protesta paqësore, me kërkesë për zgjedhje të parakohshme, ata e kanë një kryeministër që ka qenë gjithë jetën aktivist politik dhe është më shumë se i gatshëm t’i dëgjojë dhe ndoshta të pajtohet me ta”, tha ai.

Kurti theksoi se, sipas tij, janë dy rrugë për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“E para, të dalim nga kjo krizë në veri, që do të thotë sundim i ligjit. Bandat  ose të kthehet prapa në Serbi ose të jenë në burg në Kosovë, si dhe të zvogëlojmë numrin e policëve në objektet komunale dhe të normalizojmë situatën. E dyta rrugë është zbatimi i menjëhershëm dhe pa kushte i marrëveshjes bazë me të cilën jemi pajtuar me Serbinë”, u shpreh ai.

Para se të fliste në panelin e konferencës në Bratisllavë, Kurti është pyetur nga Radio Evropa e Lirë edhe për anulimin e stërvitjes të NATO-s “Defender Europe 23” që duhet të mbahej në Kosovë. Ai e ka quajtur si “fatkeqësi” anulimin e stërvitjes, ndërsa SHBA-në e ka quajtur “mike, partnere dhe aleate të pazëvendësueshme” e Kosovës.

“Çfarë kemi parë është suspendimi nga ushtrimi “Defender Europe 23” dhe ne kemi qenë duke u përgatitur qe dy vjet për këtë. Është fatkeqësi. Nuk mendoj se është e drejtë, por kush jam unë të vendos? Përsëri, më lejoni të theksoj se SHBA-ja është mike, partnere dhe aleate e pazëvendësueshme për sigurinë dhe mbrojtjen tonë, për demokracinë dhe zhvillimin tonë”, ka thënë ai.

(r.m.)