Munih, 20 shkurt 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, të shtunën, në margjina të Konferencës së Sigurisë në Munih.
Qeveria e Kosovës, në një njoftim për takimin, bëri të ditur se Kryeministri Kurti ka përsëritur se Kosova është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje që ka në qendër njohjen reciproke. Ai e ka mirëpritur angazhoimin e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara dhe e ka shprehur gatishmërinë që të takohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut.
“Kryeministri Kurti tha se Qeveria e Republikës së Kosovës është palë konstruktive që angazhohet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke. Në shërbim të kësaj, ai tha se është i gatshëm t’i përgjigjet ftesave për takime të liderëve nëse ka vullnet të njejtë nga pala serbe. Ai po ashtu tha se e mirëpret koordinimin e ngushtë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë proces të rëndësishëm”, thuhet në komunukatën e Qeverisë së Kosovës.
Në takim kanë marrë pjesë edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, dhe I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian përdialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Kohëve të fundit është shtuar presioni ndërkombëtar për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Për këtëe qëllim, ditë më pare, KJosovën dhe Serbinë i vizituan bashkërisht të dërguarit e posaçëm të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.
Bashkimi Evropian njoftoi se të martën në Bruksel do të takohen kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, për të diskutuar për vazhdimin e dialogut.
(r.m.)