Tiranë, 26 nëntor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës, në Elbasan, i përshkroi dy vendet e dy popujt si “një lis medy degë.
“Sa herë që vij në Shqipëri e kam një ndjesi që nuk përshkruhet lehtë dhe nuk shpjegohet kollaj. Jemi si një lis me dy degë. Jemi një, paçka se me dy dialekte që po njehësohen”, u shpreh ai.
Kurti ka thënë se shqitarët nuk janë as të lumtur dhe as të fortë duke qenë një komb i ndarë.
“Të thuash që jemi të lumtur që jemi një komb i ndarë do ishte marrëzi, të thuash të jemi të lumtur se ne dy shtete jemi më të fortë, është sa tepëri dhe shkurtpamësi”, theksoi ai.
“Të thuash se do angazhohesh për bashkim kombëtar do të shquanin për nacionalist, të thuash se do bashkohemi në BE të shquajnë për diplomat. Kam përshtypjen se këta të fundit po tregohen më të suksesshëm. Le të flasim si diplomatë por të punojmë si patriot”, u shpreh ai.
Por, kryeministri Kurti tha se patriotizëm është edhe të punosh për një jetë më të mirë për qhytetarët e të dyja vendeve.
“Patriotizëm sot është të luftosh korrupsionin dhe kriminin e organizuar, për media të lirë, për gjyqësor të pavarur e për drejtësi sociale. Vetëm ky patriotizëm do t’i bëjë qytetarët tanë krenarë, që të jetojnë në vendin e tyre. Duhet ta gjejmë thirrjen tonë të përbashkët. Sa më të integruar aq më të bindur do të jenë qytetarët për ta kaluar jetën këtu”, tha Kurti.
Ai bëri thirrje për heqjen e të gjitha barrierave midis Kosovës e Shqipërisë.
“Njerëzit tanë duhet të lëvizin e të punojnë. T’u lehtësohet qarkullimi, t’u lehtësohet mundësia e biznesit dhe tregtisë. Së bashku mund të prodhojmë më mirë dhe të fitojmë më shumë. Nuk ka përhumbje më të madhe se shpërndarja në linja të paqëndrueshme”, tha ai.
“Marrëveshjet që kemi përpara do lehtësojnë më tej procedurat për lejet e qëndrimit. Po mbështesin bashkëpunimin kulturor, në fushën e muzeve dhe krijimtari. Po rrisim bashkëpunimin në fushën e drejtësisë, doganës duke lehtësuar kalimin, dhe njohjen reciproke të diplomave dhe gradave shkencore”, shtoi kryeministri i Kosovës.
Kurti foli edhe për projektin e marrëveshjes për ndërtimin e linjës hekurudhore Prishtinë – Durrës.
“Linja hekurudhore Prishtinë-Durrës është rritje e rëndësisë së portit kryesor të shqiptarëve, me rëndësi sa ekonomike po aq edhe gjeopolitike, që i forcon shqiptarët dhe e ndihmon rajonin”, theksoi ai.
(r.m.)