Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se Qeveria e Kosovës ka qëndrim të qartë për nismën rajonale “Open Balkan” dhe sipas tij nuk mund të ketë Ballkan të hapur derisa Serbia nuk i pranon pasaportat e Kosovës, vulat, certifikatat etj.
Kurti në një konferencë për media me ministrin e ri të Shëndetësisë, Rifat Latifi duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për nismën rajonale tha se për të dëshmuar se Serbia është për Ballkan të hapur fillimisht duhet të hapet për Kosovën.
“Serbia për ta dëshmuar se është për Ballkan të hapur duhet të hapet njëherë për Kosovën”, tha ai.
Ndërkaq, duke folur rreth paralajmërimit se Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do t’i largojnë kontrollet kufitare nga janari i 2023-së, Kurti tha “deri në datën kur e kanë paralajmëruar këtë gjë mund të ndodhen shumë zhvillimet politike. Një premtim i tillë më shumë është një parashikim i vagullt sesa ndonjë fakticitet që po e presin të gjithë”.