Prishtinë, 15 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar të shtunën se sulmi fizik që ndodhi të enjten në Kuvend mes deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, atyre të pozitës dhe ministrave, ka qenë i përgatitur.
Në një deklarim për media, ai ka thënë se deputetët opozitarë nuk kanë pasur asnjë arsye që të sulmojnë kabinetin qeveritar.
Kreu i ekzekutivit tutje është shprehur sulmi nuk ka ndodhur si pasojë e ndonjë provokimi nga ana e qeveritarëve, ndërsa ka shtuar se ka xhirime dhe shumë dëshmitarë që do ta tregojnë vërtetën e asaj situate.
“Unë besoj se kurrfarë arsye për sulm mbi Qeverinë e Kosovës në Kuvendin e Republikës nuk ka pasur. Ata të cilët dëshirojnë të sulmojnë kërkojnë shkase, sepse as shkaqe nuk gjejnë, arsye jo se jo. Mirëpo ka gjëra për të cilat mund të mos dihet, sepse nuk ka dëshmitarë dhe nuk ka xhirime”, ka thënë ai.
“Aty kishim maksimumin e xhirimeve dhe kishim shumë dëshmitarë të cilët do ta tregojnë të vërtetën e asaj situate në të cilën qartazi nuk bëhej fjalë për provokim e kundër provokim por bëhej fjalë për një sulm të përgatitur meqenëse shpejtësia me të cilën ia mësynë prej ulëseve të tyre disa deputetë dhe në drejtim të ulëseve të kolegëve të mi nga Qeveria derisa unë mbaja fjalim, tregon qartazi se nuk kishte asgjë spontane aty”, ka shtuar Kurti.
Kryeministri i ka lutur deputetët që për çdo çështje të organizojnë debate në Kuvend me argumente e kundër argumente, duke u shprehur se ai që nga shpallja e pavarësisë është kryeministri më i përpiktë që iu është përgjigjur pyetjeve të tyre.
“Unë edhe një herë i lus deputetët e Kuvendit të Republikës që për çdo gjë të organizojmë debate parlamentare ku i shoshisim gjerë e gjatë argumentet, faktet, qëndrimet, mendimet, opinionet tona pa dhunë. Dhe ata të cilët kanë të drejtë, besojnë në të drejtën që prezantojnë nuk do duhej t’i frikësohen debatit. Ndërsa, ju e patë që mua m’u ndalua fjala në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe se, me kërkesën e kryeparlamentarit, unë hoqa dorë nga vazhdimi i fjalës sime. Thjesht kur ka vazhduar seanca unë është dashur ta vazhdoj fjalën, por kryeparlamentari më tha ‘Kryeministër a bën të mos e vazhdosh fjalën në mënyrë që t’i qetësojmë gjakrat?’. Unë isha dakord për këtë gjë. Por kjo, fatkeqësisht, nuk dha rezultat. Unë jam kryeministri që, jo vetëm që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, është më i përpikti në përgjigjen e pyetjeve parlamentare”, ka shtuar Kurti.
(Telegrafi)
Incidentin ne Kuvend e nxiti dhe e shkaktoi Zv,Kryeministri qe, doli shkeu foton e Albinit dhe ia la para uleses se Tij.Sulmoi Lushtakun me shishe ne fytyre dhe si i mjer i struk prapa “grave” te grupit sulmues te VV.