Prishtinë, 23 tetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të hënën se sulmi terrorist në pjesën veriore të Kosovës më 24 shtator është kryer nga “Klani i Novi Sadit” i udhëhequr nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet, SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllait të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq”, ka shkruar Kurti në Facebook.
“Para dy dekadave në Serbi sundonte ‘Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”,ka theksuar ai.
Kurti ka thënë se Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi, prandaj Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të formojne ne Gjykatë Speciale për “Klanin e Novi Sadit”.
“A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, ka theksuar Kurti.
Postimi i plotë i Kurtit:
Klani i Novi Sadit
Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq.
Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS.
Para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin.
Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.
Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar.
(r.m.)