Kurti: Sundimi i ligjit në veri nënkupton përballje të kriminelëve me drejtësinë

Prishtinë, 3 korrik 2023 – Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se është i gatshëm për shtensionim të situatës në pjesën veriore të vendit, por theksoi se kjo nuk mund të bëhet, siç tha ai, “në kurriz të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë”.

“De-eskalimi nënkupton sundim të ligjit që i zbrapsë këta kriminelë duke i detyruar të përballen me drejtësi ose edhe të shkojnë në Serbi”, tha ai.

Ai tha se institucionet e sigurisë, deri më tash, i kanë identifikuar 45 persona që kanë marrë pjesë në sulmet kundër ushtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.

Kurti tha se është i hapur edhe për të caktuar sa më shpejt datën e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat veriore, por theksoi se duhet të krijohen kushte për zgjedhje të lira e demokratike.

“Unë u kam thënë edhe evropianëve edhe amerikanëve: ‘ejani të punojmë bashkë që fushata të jetë e hapur dhe fer, që kur t’i bëjmë zgjedhjet e reja të parakohshme të mos kemi dështime në fushatë dhe të kemi pjesëmarrje të madhe në zgjedhje”, tha ai.

I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të arrijë gjatë kësaj jave në Prishtinë e në Beograd, në përpjekje për të gjetur rrugëdalje nga kriza në pjesën veriore të Kosovës dhe për zbatimin e Marrëveshjes bazë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

(r.m.)