Kurti takohet me Escobarin në Bruksel, para takimit me Vuçiqin

Bruksel, 2 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar sot në Bruksel Zëvendës ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, i dërguar i Shteteve të Bashkuar  Ballkanin Perëndimor.

Takimi është mbajtur në prag të takimit të Kurtit me presidentin e SerbIsë, Aleksandar Vuçiq.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njoftoi se ky ishte një takim miqësor e produktiv dhe kryeministri Kurti falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen e dhënë me rastin e votimit për pranimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Në njoftim thuhet se Kurti e Escobar kanë biseduar edhe lidhur me temat që do të diskutohen në takimin e sotëm të Kurtit e Vuçiqit.

‘U diskutua për takimin e sotëm, agjendën dhe pritjet, teksa u theksua nevoja e zbatimit të plotë, në mirëbesim dhe pa kushtëzime të asaj që është dakorduar me 27 shkurt në Marrëveshjen Bazë dhe 18 mars në Planin e Zbatimit”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas ndërmjetësve të takimit, përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për politikë të Jashtme e  Siguri, Joseph Borrell, dhe emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në këtë takim do të diskutohet për çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe do të paraqitet drafti i parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i hartuar nga  ekip menaxhues i themeluar nga Bashkimi Evropian.

Një ditë më herët, Kurti ka biseduar metelefon edhe me këshilltarin e Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili ka shprehu pritjet e SHBA-së që takimi i sotëm i Kurtit e Vuçiqit të jetë takim konstruktiv dhe të ketë përparim në bisedime, sidomos për çështjen e Asociacionit.

(r.m.)