Bruksel, 17 gusht 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të mërkurën në Mbrëmje me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kurti e ka quajtur këtë “takim përgatitor” para takimit të tij me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet të enjten, në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja.
Kurti ka thënë se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.
“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”, ka thënë ai duke folur për takimin e tij me Vuçiqin.
Ai ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.
I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, Kurti ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.
“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje të tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar – me datën 1 gusht – se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”, ka thënë Kurti.
Lajçak: Përmes dialogut të shmangen tensionet në Kosovë
I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se dëshiron që në takimin e të enjtes të kurtit e Vuçiqit të ketë marrëveshje, por nuk ka specifikuar se për çka. Ai ka thënë se dëshiron që përmes dialogut të arrihet një ujdi mes palëve, në mënyrë që më 1 shtator të shmanget rreziku për tensionimin e situatës sikur më 31 korrik.
“Do të kemi diskutime për marrëdhëniet e së ardhmes, si të arrihet normalizimi dhe do të diskutojmë çështjet aktuale. Ne i kemi dy liderë me mandate demokratike dhe presim që ata të dedikohen për gjetjen e një zgjidhjeje që siguron se nuk do të ketë krizë”, ka deklaruar Lajçak.
Escobar: Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës
Ndërkaq, i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se SHBA e mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Ai ka thënë se përmes dialogut duhet të gjenden zbgjidhje që sigurojnë stabilitet në rajon.
“Duhet të mbetet në duart e Evropës. E ardhmja e të dyja këtyre shteteve është në Evropë, kështu që Evropa po merr drejtimin, por e ka mbështetjen e plotë të Administratës amerikane. Duhet të shikojmë për zgjidhje që janë të pranueshme nga të dyja shtetet, që çojnë në normalizim dhe në stabilitet afatgjatë”, ka thënë Escobar.
Escobar ka thënë se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se Asociacioni duhet të formohet në përputhje me kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës.
“Çështja e Asociacionit është e rëndësishme. Është një përkushtim konsistent, ne mendojmë se duhet të implementohet brenda ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës”, ka thwnw Escobar.
Ai ka pwrswritur se në Evropë ka modele që mund të aplikohen edhe në Kosovë
“Ne mendojmë se brenda Evropës ekzistojnë mjaft modele që mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje stabile dhe produktive për të gjitha palët e përfshira”, ka theksuar ai.
Kurti e Vuçiq janë ftuar në Bruksel, për të ulur tensionet në veri të Kosovës. Serbia kundërshton vendimin e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave të lëshuara në Serbi me targat e Kosovës, me akroninim RKS (Republika e Kosovës) dhe vendimin për pajisje së shtetasve të Serbisë që hyjnë në Kosovë me një dokument identifikues të Kosovës.
Më 31 korrik, kur nisi zbatimi i këtyre vendimeve, serbët e Kosovës, me mbështetjen e Beogradit, vendosën barrikada në rrugët pranë vendkalimeve kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe në Bërnjakë. Barrikadat u hoqën pas shtyrjes së zbatimit të vendimit deri më 1 shtator.
SHBA dhe BE po bëjnë përpjekje që para 1 shtatorit të gjendet një zgjidhje për këto dy çështje, në mënyrë që të parandalohet përsëritja e mundshme e situatës së tensionuar.
(r.m.)