Munih, 16 shkurt 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur kërkesën që marrëveshjet e dakorduara me Serbinë të nënshkruhen dhe që Kosovës t’i hiqen masat e vëna nga Bashkimi Evropian, njoftoi zyra e Kryeministerit të Kosovës.
Këtë kërkesë Kurti e ka bërë në një takim me Përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në margjinat e Konferencës së Sigurisë, në Mynih,
“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mos detyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ai ka kërkuar heqjen e masave kufizuese të Bashkimit Evropian, të cilat i ka quajtur të padrejta.
Në takim ka qenë e pranishme edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
(r.m.)