Prishtinë, 24 gusht 2022 – Autoritetet e Kosovës nuk do të pranojnë rikthimin në qarkullim të targave KS për veturat brenda territorit të Kosovës, si dhe do të zbatojnë masa reciproke për qytetarët e Serbisë sa i përket dokumentit për hyrje/dalje.
Kështu deklaroi kryeministri Albin Kurti, të mërkurën, gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se në takimin e 18 gushtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, u diskutua për menaxhimin e krizës në veri të vendit, përkatësisht zbatimin e vendimeve për dokumentet e hyrje-daljes për shtetasit serbë dhe për riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.
“Në Bruksel nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe”, deklaroi Kurti, duke shtuar se katër propozime konkrete lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë – Beograd.
Ai i quajti gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve më 18 gusht në Bruksel.
Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, më 23 gusht, e ka quajtur të përgatitur palën serbe për paraqitjen e saj në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”.
“Ne ishim të hapur për diskutime në këtë drejtim, mirëpo, nga ndërtesa ka dalë pala tjetër”, deklaroi Kurti.
Pala serbe ka këmbëngulur që qytetarët nga veriu i Kosovës të përjashtohen nga vendimi për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, dhe që automjetet e tyre me targa KM, PR, etj., t’i riregjistrojnë me akronimin neutral ndaj statusit të Kosovës – KS – dhe jo me akronimin RKS (Republika e Kosovës).
Kurti të mërkurën përsëriti se për Kosovën opsioni më i pranuar do të ishte eliminimi i plotë nga të dyja vendet i dokumenteve të hyrje/daljes për qytetarët e të dyja shteteve.
“Derisa do të ketë në një anë, duhet të ketë edhe në anën tjetër”, tha ai.
Sa i përket riregjistrimit të veturave, Kurti tha se targat me akronimin KS nuk mund të rikthehen më në qarkullim, ashtu siç kërkon Serbia për ato vetura që kanë targat e Serbisë me akronimet e qyteteve të Kosovës.
Serbia po e cenon sigurinë nacionale të Kosovës
Kurti theksoi se pala serbe, “panevojshëm dhe krejt artificialisht” është duke eskaluar, si retorikën ashtu edhe veprimet në fushën e sigurisë.
Ai tha se qytetarët, të cilët i mbështesin “vendimet legjitime të Republikës së Kosovës, po kërcënohen vazhdimisht”.
“Si e tillë, kjo përbën cenim të drejtpërdrejtë, si të sigurisë nacionale, ashtu edhe të rajonit në tërësi. Mendoj se këto kërcënime synojnë që padrejtësisht të krijojnë epërsinë në negociata, duke kërcënuar Bashkimin Evropian, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo Mbretërinë e Bashkuar, me tensione në të ardhmen”, theksoi Kurti.
Kërcënimet me largimin eventual të qytetarëve të minoritetit serb nga institucionet e Kosovës, sipas Kurtit, përbëjnë “dominim të narrativës së kriminelëve si Milan Radoiçiqi, e jo të atyre që integrimin e shohin si opsionin primar”.
“Unë besoj fuqishëm që përfaqësuesit e qytetarëve serbë më së paku do të duhej të përfaqësojnë dhe të shtyjnë përpara narrativa të individëve që kanë promovuar dhe vazhdojnë të promovojnë krimin e organizuar, dhe që kanë arritur deri në listën e zezë të SHBA-së”, deklaroi Kurti.
Milan Radoiçiq është nënkryetari i partisë kryesore serbe në Kosovë – Listës Serbe. Ai kërkohet nga autoritetet kosovare për shkak të përfshirjes së tij në rastin “Brezovica”, në të cilin dyshohet se ka “frikësuar dëshmitarët gjatë procedurës penale”. Po ashtu është në listën e zezë amerikane për shkak të përfshirjes së tij në krimin e organizuar ndërkombëtar.
“Diskutim për marrëveshje të përgjithshme e jo menaxhim krize me hapa të vegjël”
Sipas Kurtit, në takimin e Brukselit, sipas agjendës së dakorduar më herët, ka qenë e paraparë që të diskutohet korniza e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë si dhe çështjet aktuale.
Për pikën e parë, Kurti tha se kanë dërguar propozim me gjashtë kapituj për mënyrën se si pala kosovare mendon se duhet të duket marrëveshja e përgjithshme për normalizim të marrëveshjeve.
Në këto pika, sipas Kurtit, kërkohet dakordimi për njohje reciproke, ballafaqim me të kaluarën, bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes dy shteteve, trajtimin e pakicave etnike përkatëse në dy shtetet, etj.
Ai e përmendi, gjithashtu, kapitullin ku parashihet rikonsiderimi i marrëveshjeve të deritashme të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, kjo nuk do të thotë rinegocim i tyre, por të shikohet se cilat prej këtyre marrëveshjeve tashmë “janë tejkaluar dhe cilat duhet të vazhdojnë të zbatohen”.
Kurti tha se në tavolinë për diskutim gjatë 18 gushtit ka qenë edhe tema konkrete lidhur me të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë, për të cilën, sipas tij, nuk ka pasur gatishmëri nga pala serbe.
Kurti tha se ishte i interesuar ta orientonte diskutimin kah marrëveshja e përgjithshme pasi ky “ishte takim ndërmjet liderësh”.
Mirosllav Lajçak, si dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Gabriel Escobar, kanë planifikuar takime me liderë politikë në Kosovë dhe Serbi më 23, 24 dhe 25 gusht.
Qëllimi i këtyre takimeve është diskutimi për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përpara 1 shtatorit.
Në këtë datë parashihet të vazhdojë zbatimi i vendimeve të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – dhe lëshimin e dokumenteve hyrëse/dalëse për shtetasit serbë.
Autoritetet e Kosovës i kanë quajtur këto vendime legale dhe masa reciproke ndaj Serbisë, si dhe kishin bërë përpjekje t’i zbatojnë që nga 1 gushti.
Si shenjë pakënaqësie ndaj këtyre vendimeve, disa serbë në pjesën veriore kanë ngritur barrikada në rrugët drejt pikave kufitare Kosovë-Serbi. Si rrjedhojë, Qeveria e Kosovës ka vendosur të shtyjë zbatimin e vendimeve të saj për 30 ditë.
(Doruntina Baliu, REL)