Kurti: Terroristët që i kryen sulmet në veri janë trajnuar në njërën nga bazat kryesore të ushtrisë serbe

Prishtinë, 1 tetor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa pamje nga stërvitjet e terroristëve serbë që kryen sulmet në Banjskë më 24 shtator në një qendër trajnimi të ushtrisë në Serbi.

Në një postim në llogarinë e tij në platformën X, Kurti ka thënë se terroristët ishin trajnuar në njërën prej bazave kryesore të Ushtrisë Serbe, Pasuljanske Livade, katër ditë para sulmeve në Banjskë. Ai ka thënë se stërvitje të tjera janë zhvilluar në bazën e Kopaonikut.

Ai ka theksuar se sulmet në pjesën veriore të Kosovës u kryen me planifikimin dhe mbështetjen e plotë të shtetit serb.

”E filmuar: Terroristët që kryen sulmet janë trajnuar në Pasuljanske Livade, njërën nga bazat kryesore të Ushtrisë Serbe, 4 ditë para sulmeve. Stërvitje të tjera u zhvilluan në bazën e Kopaonikut. Sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”, shkruan Kurti.

Videoregjistrime nga stëvitjet e grupit terrorist serb që kreu sulmet në Banjskë të komunës së Zveçanit, më 24 shtator, u publikuan të dielën edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovë,Gazmend  Hoxha.

Në konferencën e përbashkët për medie, ata thanë se kanë siguruar edhe prova dhe dëshmi të tjera se Serbia kishte planifikuar të aneksonte pjesën veriore të Kosovës. Ata thanë se kanë në dorë edhe planin e sulmeve të institucioneve të Kosovës nga 37 pozicione në pjesën veriore të vendit.  

(r.m.)