Prishtinë, 11 dhjetor 2024 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është thirrur nga Prokuroria e Speciale e Kosovës të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit para prokurorit special, më 16 dhjetor 2024 në orën 9:30.
Në fletëthirrjen me shumë gabime gjuhësore, të nënshkruar nga prokurorët special Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi, nuk është specifikuar se për cilin rast është thirrur të dëshmojë Kurti. Por, ai është paralajmëruar se ai mund të detyrohet të paraqitet në prokurori, mund të gjobitet për çdo mosparaqitje dhe mund të dënohet edhe me burg deri në një muaj në rast se nuk I përgjigjet thirrjes ose refuzon të dëshmojë.
“Në mbështetje të nenit 120 të Kodit nr. 08/L-032 të Preocedurës Penale të Kosovës (KPP), detyuroheni t’i përgjigjeni thirrjes.
Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e paarsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 (dyqindepesëdhjetë) Euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 (dyqindepesëdhjetë) Euro. Nëse edhe pas kësaj gjobe, refuzoni të dëshmoni, atëherë mund të burgoseni. Burgimi zgjat derisa nuk pranoni të dëshmoni apo derisa dëshmia juaj bëhet e panevojshme, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se 1 (një) muaj”, thuhet në fletëthirrje.
Zëdhënësi u Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, e vlerëson të qëllimshëm dërgimin e fletëthirrjes për paraqitje në prokurori në kohën që Kurti dhe kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje po diskutonin për kandidatët e koalicionit LVV-Guxo Alternativa për deputetë të Kuvendit të Kosovës.
“Teksa kryeministri Kurti ndodhet në mbledhje të Kryesisë së Lëvizjes VETËVENDOSJE! për të përmbyllur listën e kandidatëve për deputetë nga koalicioni LVV, Guxo dhe Alternativa në zgjedhjet e vitit 2025, nga kryeministria më njoftuan se ka ardhur një ftesë për të nga Prokuroria Speciale”, shkruan ai.
Kryeziu kujton se Kurtit i ishte ndaluar pjesëmarrje në zgjedhjet e kaluara parlamentare me vendim gjyqësor, ndërsa thirrjen në prokurori tani e konsideron si përpjekje për të ndikuar në rezukltatin e zgjedhjeve të aerdhme, më 7 shkurt 2025.
“Në zgjedhjet e kaluara kishte një vendim gjyqësor i cili ia kishte pamundësuar kandidimin në garën zgjedhore të 14 shkurtit 2021, kurse tash përmes kësaj ftese po tentohet ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve të 2025. Qëllimi mbetet i njëjtë. Metoda ka ndryshuar. Kjo është ndërhyrje e sistemit të drejtësisë në proces zgjedhor”, shkruan zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.
(r.m.)