Prishtinë, 22 mars 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpalosi të mërkurën se cila ishte oferta e tij që është refuzuar nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimin e tyre në Ohër.
Të martën, në një postim në Tëitter, Kurti ka shkruar se ai ka pasur një “ofertë bujare” për “vetëmenaxhimin e serbëve të Kosovës në një asociacion.
Të mërkurën, në një konferencë për media, Kurti dha detaje lidhur me ofertën e refuzuar nga Vuçiqi. Ai tha se palës serbe i ka kërkuar të pranojë tri shtyllat mbi të cilat do të themelohej Asociacioni i komunave më shumicë serbe të Kosovë.
“Gjatë bisedimeve që i kemi pasur në Ohër, unë e kam thënë shumë qartë që jam i interesuar që qytetarët e Republikës që më kanë mua kryeministër të jenë të kënaqur, pa dallim etnie. Nëse ata kanë nevoja e kërkesa, çështje mund t’i adresojnë lirisht. Nëse besohet se nuk mjafton plani i Ahtisarit duhet të tjerët të tregojnë se çka paska mangësi në atë propozim të ish-presidentit finlandez”, u shpreh Kurti.
Ai tha se oferta e tij për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe bazohej në tri shtylla, të cilat bazohen në Kushtetutën e Kosovës.
“Unë kam bërë një ofertë konkrete, duke iu thënë që nëse pala serbe është dakord që të pranojë tri shtylla bazike: Kushtetutën e Republikës së Kosovës, aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 23 dhjetor 2015, dhe, në anën tjetër, një qëndrim të Brukselit dhe një të Uashingtonit mbi atë që është dhe nuk është Asociacioni. U kam thënë që nëse janë dakord me këto premisa, unë jam i gatshëm ta shkruaj draftin (e asociacionit). Nuk ka pasur darkodim për këtë”, u shpreh ai.
Kurti u shpreh skeptik se Serbia do të përmbushë detyrimet që dalin nga marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve midis dy vendeve dhe nga aneksi për zbatimin e marrëveshjes.
Ai tha se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar disa herë se nuk do t’i zbatojë pikat e marrëveshjes për të cilën janë dakorkuar në Bruksel më 27 shkurt dhe në Ohër më 18 mars.
(r.m.)