Prishtinë, 5 nëntor 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarët serbë në Kosovë që të mos braktisin institucionet e Kosovës.
Ai e ka bërë këtë thirrje disa orë pas vendimit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që të largohet nga institucionet e Kosovës.
“Mos bini pre e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”, ka thënë Kurti.
Githashtu u ka bërë thirrje serbëve që “ta ruajnë qetësinë, paqen dhe sigurinë”.
“Unë nuk jam kryeministër kundër jush, por Beogradi është kundër meje. Unë jam kryeministër që do t’ju shërbej duke respektuar kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Prioriteti im është luftimi i korrupsionit, drejtësia dhe zhvillimi ekonomik, pra, punësimi, barazi e mirëqenie për të gjithë, pa dallim etnie, feje apo prejardhje”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.
Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se dorëheqjet përfshijnë pozitat në Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës, dhe ato të gjyqësorit dhe Policisë së Kosovës në veri.
Lista Serbe ka nisur paralajmërimet për largime të tilla, pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.
Kurti e ka cilësuar vendimin e Listës Serbe si kërcënim të Beogradit dhe përgatitje për destabilizim të Kosovës.
“Është e qartë se për çfarë bëhet fjalë. Presidenti i Serbisë ka gënjyer dhe i ka zhgënjyer amerikanët dhe evropianët. Ai shumë shpesh e takon dhe koordinohet me ambasadorin rus në Beograd. Serbia duke mos qenë vend demokratik po bëhet vegël e Kremlinit”, ka thënë Kurti.
(REL)