Kurti u uron shërim të shpejtë të plagosurve në sulmin në Beograd

Prishtinë, 4 maj 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu ngushëllime për humbjen e jetëve në sulmin vdekjeprurës që ndodhi mëngjesin e 3 majit në një shkollë në kryeqytetin e Serbisë, Beograd. Ndërsa, të plagosurve u uroi shërim të shpejtë.

Në këtë sulm të armatosur që u krye nga një nxënës 13 vjeç, u vranë tetë fëmijë dhe një roje.

“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për viktimat e të shtënave në shkollë, në Beograd, dhe për familjet e tyre… U uroj shërim sa më të shpejtë të lënduarve në këtë ngjarje tragjike”, shkroi Kurti në llogarinë e tij në Twitter.

Ndaj këtij sulmi ka reaguar edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Ajo u ka shprehur ngushëllime të gjithë prindërive që i humbën fëmijët e tyre dhe u ka uruar shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve.

Në sulmin e armatosur në shkollën “Vladislav Ribnikar” e cila ndodhet në qendër të Beogradit, u plagosën edhe gjashtë nxënës dhe një mësuese.

Pesë nga të lënduarit janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore, ndërsa gjendja e njërit prej fëmijëve të plagosur mbetet kritike.

Autori u arrestua në vendin e krimit.

(REL)