Kurti vizitoi policët në Mitrovicën Veriore, Lista Serbe e cilëson “kërcënim për serbët

Prishtinë, 28 qershor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe me zëvendësin e tij, Blerim Gashani, i ka vizituar njësitet policore në pjesën veriore të Kosovës, me rastin e festës së Kurban Bajramit.

Ai është takuar me policët që kanë qenë në krye të detyrës lagjen multietnike Kroi i Vitakut, në komunën e Mitrovicës Veriore, e pastaj e ka vizituar qendrën “Belvedere” në Mitrocivën Jugore.

Në profilin e tij në Facebook, Kurti ka shkruar se policëve në detyrë u ka dërguar bakllava dhe ëmbëlsira tjera për festën e Bajramit. Ai ka thënë se përgatitja e lartë profesionale e policëve të Kosovës është “garanci për zbatimin e ligjit dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve, pa dallim.

“Bakllava e ëmbëlsira për policët tanë në veri të vendit. Bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe zëvendësin e tij, Blerim Gashani, vizituam njësitet tona te Kroi i Vitakut. Përgatitja e lartë profesionale është garanci për zbatimin e ligjit dhe për sigurinë si e mirë publike që u ofrohet të gjithë qytetarëve pa dallim. Diskutimin e vazhduam edhe në qendrën ‘Belvedere'”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti e ka publikuar edhe një videoregjistrim nga vizita e tij në Mitrovicën Veriore.

Të mërkurën, Kurti i ka vizituar në shtëpitë e tyre edhe tre policët që ishin rrëmbyer në territorin e Kosovë nga forcat serbe të sigurisë, të cilët janë liruar pas 13 ditësh të mbajtjes në  paraburgim në Serbi.

“Për Bajram te Beqir Sefa, Rifat Zeka e Shemë Mustafa, tre oficerët tanë të Policisë, që ishin rrëmbyer me 14 qershor nga forcat e armatosura serbe, e u mbajtën rob padrejtësisht për 13 ditë nga Serbia. Mikpritje fort e ngrohtë, sepse festa ishte e dyfishtë në Peran, Letanc dhe Mitrovicë. I falënderova të tre policët tanë dhe familjet e tyre për qëndresën, besim e treguar dhe mbështetjen e dhënë ndaj institucioneve të Republikës”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës që konsiderohet filial i partisë në pushtet në Serbi, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së Kurtit në Mitrovicën Veriore. Ajo e ka cilësuar këtë vizitë si “shuplakë e fortë në fytyrën e bashkësisë ndërkombëtare” dhe si “një kërcënim tjetër për serbët në Kosovë”.

“Cila do të jetë tani pala përgjegjëse për këtë provokim?”, pyeti Lista Serbe.

Të mërkurën, në Mitrovicën Veriore është parë një prani më e madhe e forcave policore të Kosovës. Zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani , ka thënë se prania e policisë së Kosovës në veri është shtuar për sigurinë e qytetarëve në ditën e festës së Kurban Bajramit dhe Vidovdanit.

(r.m.)