Kurti: Zotimi ynë për luftimin e korrupsionit po jep sinjale optimiste

Prishtinë, 25 janar 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur  kënaqësinë që Kosova ka shënuar përmirësim në luftën kundër korrupsionit.

Kurti, në një postim në Facebook, ka thënë se po marrin sinjale optimiste në zotimin e tyre për luftë ndaj krimit dhe korrupsionit, ku veprimet e qeverisë së tij po vlerësohen pozitivisht nga Transparency International.

“Zotimi ynë për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit institucional është duke dhënë sinjalet e para shumë optimiste. Nga pozita 104 në pozitën e 87, në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, Kosova e ka përmirësuar pozitën e saj për 17 vende. Ende pa u bërë një vit nga marrja e detyrës, veprimet tona kundër korrupsionit, vlerësohen pozitivisht nga organizata kredibile. Sigurisht që duhet edhe më mirë e sigurisht që do të punojmë më shumë, derisa Kosova të jetë afër e bashkë me vendet e pastra për nga korrupsioni”, ka shkruar Kurti.

Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të publikuar tëmartën nga Transparency International, Kosova ka shënuar ngritje në tabelën e klasifikimit për 17 pozita. Nga pozita 104 ku ndodhej vitin e kaluar, Kosova është ngritur në pozitën e 87-të. 

(r.m.)