Prishtinë, 25 korrik 2023 – Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës është zhvilluar një debat lidhur me incizimin e bisedës së saj me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe publikimin e tij në medie.
“Kishim një debat të gjerë në raport me incizimet e jashtëligjshme të cilat kanë dalë dhe janë të edituara dhe i jam përgjigjur pyetjeve të anëtarëve të Kryesisë. Në këtë kontekst edhe në krejt diskutimin e deritanishëm unë kam dhënë intervista dhe nuk kam hezituar të përgjigjem”, ka thënë Kusari-Lila, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Sipas saj, pyetjet që i janë drejtuar “kanë më shumë të natyrës spekulative”, pyetje “që synojnë manipulim politik dhe goditje politike, çfarë mund të zhvillohen në studiot televizive, siç janë zhvilluar deri tani”.
Kusari-Lila ka thënë se së shpejti do të dorëzojë në gjykatë dy kallëzime penale. Njërin ndaj ish-deputetit të Listës Serbe, Sllavko Simiq, për inczimin e paligjshëm të bisedës, dhe tjetrin ndaj medies që e ka publikuar atë incizim.
“Kam të përgatitura dy kallëzime penale që do të dorëzohen brenda pak ditëve, një ndaj ish-deputetit Slavko Simiq dhe tjetri ndaj portalit dhe gazetarit që ka bërë publikimin dhe editimin e atyre materialeve”, ka thënë ajo.
“Nuk kanë qenë përgjime të organeve të drejtësisë apo të policisë për dyshime për ndonjë vepër penale, por incizime të jashtëligjshme dhe të edituara nga ata që do të bartin pasoja ligjore”, ka theksuar ajo…
Kusari-Lila ka thënë se opozita e ka mundësinë të thërrasë edhe seancë të veçantë lidhur me këtë çështje.
Sipas incizimit të publikuar në medie, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, me Slavko Simiqin,atëherë deputet i Listës Serbe, ishte përpjekur të fitonte përkrahjen e deputetëve të kësaj partie serbe për miratimin e Ligjit të ri për pagën minimale në Kosovë. Në këtë ligj, i cili është miratuar ndërkohë, kompensimet për veteranët e luftës së UÇK-së nuk barazohen me pagën minimale, siç ishte në ligjin e deritashëm, gjë që shkaktoi reagim të ashpër te kategoritë e luftës së UÇK-së dhe te opozita.
Përtej kësaj, Simiqi e kishte përfshirë në bisedën me Kusari-Lilën edhe nënkyetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili është person në kërkim nga organet e ndjekjes në Kosovë, si i dyshuar për vepra penale. Opozita e konsideron këtë si vepër penale të zonjës Kusari-Lila.
(r.m.)