Gjigantët kinezë të teknologjisë po shpejtojnë të kapin rivalët e tyre amerikanë në krijimin e chatboteve të inteligjencës artificiale (IA). Ekonomia e dytë më e madhe në botë është duke shpenzuar vetëm këtë vit, 15 miliardë dollarë (13.5 miliardë euro) vetëm për projektet e IA. Kjo është një rritje prej gati 50% brenda dy vjetësh. Para daljes së modeleve të mëdha gjuhësore si ChatGPT, që mbështetet nga kompania amerikane Microsoft, disa ekspertë të teknologjisë nuk mund ta thoshin me siguri se Perëndimi do të dominonte garën për IA, pavarësisht se laboratorët më të avancuar të IA ndodhen në SHBA dhe Britani të Madhe.
Kai-Fu Lee, një informaticien dhe biznesmen tajvanez, parashikoi në vitin 2018 se Kina do ta kalonte shpejt SHBA si një superfuqi e IA, duke këmbëngulur se teknologjia tashmë e kishte kaluar fazën e inovacionit. Lee tha se bota ishte tani në fazën e zbatimit të IA, ku Kina ka një avantazh, për shkak të spiunimit që shteti i bën popullsisë prej tashmë shumë vitesh.Vëzhgimi i vazhdueshëm i popullsisë i ka krijuar mundësi Kinës të grumbullojë sasi të mëdha të dhënash të cilat i shfrytëzojnë platformat e IA për të përmirësuar procesin e mësimit.
Përparësia e Perëndimit: Larmia e të dhënave
Por, ndërsa më shumë se gjysma e rreth 1 miliard kamerave të vëzhgimit në të gjithë planetin janë vendosur në Kinë, kritikët e Lee argumentojnë se revolucioni i IA është ende në fillimet e tij dhe se është Perëndimi ai që e ka çelësin e kësaj teknologjie.
“Risitë e mëdha në IA nuk kanë ardhur ende… Dhe SHBA aktualisht ka avantazh në atë fushë,” thotë për DW, Pedro Domingos, profesor emeritus për shkenca kompjuterike në Universitetin e Uashingtonit. Ai shpjegon se përparësia e SHBA qëndron te larmia e të dhënave që grumbullon: “Edhe larmia e të dhënave është e rëndësishme. Unë do të preferoja të kisha më shumë të dhëna nga Evropa, le të themi, se nga Kina, sepse e para është më e larmishme dhe prej saj mund të mësosh më shumë.
Problem për Kinën: Frenimi i eksportit të çipave
SHBA është e shqetësuar për ambiciet teknologjike të Pekinit, veçanërisht pasi politika zyrtare e qeverisë kineze është që deri në vitin 2030 ta bëjë vendin lojtarin dominues të IA në botë. Marrëdhëniet gjithnjë e më të përkeqësuara midis Uashingtonit dhe Pekinit kanë bërë që SHBA ta frenonte eksportimin e çipeve më të përparuara të memories, për të cilat kanë nevojë firmat kineze për modelet e tyre të avancuara të gjuhës me IA.
“Sistemet më të fundit të IA kërkojnë sasi të madhe hardueri – me mijëra çipe shumë të specializuara që funksionojnë për javë ose muaj të tërë”, tha për DW Paul Scharre, zëvendës-president dhe drejtor i studimeve në Center for New American Security (CNAS). Frenimi i eksportit të çipeve përbën një pengesë për zhvillimin e teknologjisë IA në Kinë, thotë ai.
Por firmat kineze të teknologjisë mund të gjejnë mënyra të tjera për të dalë nga ky problem: Tregu vendas i gjysmëpërçuesve mund të përjetojë një bum investimesh, ndërkohë që edhe prodhuesit vendas po garojnë për të përmirësuar çipet e tyre.
Problem për Perëndimin: Modelet janë të hapura për këdo
Një tjetër vrimë që Uashingtoni mund të kërkojë ta mbyllë është se platformat amerikane të mësimit të makinerive të IA janë ende me burime të hapura – pra, ato mund të kopjohen dhe modifikohen nga kushdo. “Kur ke akses në modelin e trajnuar të IA nuk ke nevojë për çipe të avancuara. Pra, ekziston një rrezik real që ky frenim i eksportit të çipeve të mos bëjë efekt,” paralajmëron Scharre, autori i librit “Katër fusha beteje: Pushteti në epokën e inteligjencës artificiale”.