Tomisllav Nikoliç, kryetar i Serbisë, i shtrënguar nga argumentet e ndërkombëtarëve, më në fund mori guximin dhe në emër të shtetit të tij, kërkoi falje për masakrën e Srebrenicës, që ishte një nga aktet më të tmerrshme të shekullit XX në truallin evropian. Por, Nikoliçi bëri vetëm një hap të vogël në drejtim të mbylljes së plagëve që edhe më tej mbeten të pashëruara. Nuk ka pajtim në Ballkan përderisa serbët nuk kërkojnë falje edhe për krimet e bëra në Kosovë, për të gjitha ato politikat vrastare, të cilat i kanë përjetuar shqiptarët jo vetëm pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, por edhe shumë vite më parë. Janë të njohura politikat e Akademisë serbe në raport me shqiptarët, që kanë qenë politika kryekëput me përmbajtje shfarosëse. Fryma e politikave shtypëse ndaj shqiptarëve, gjithnjë sipas strategjisë së Akademisë serbe, vazhdoi edhe gjatë ekzistencës së Jugosllavisë.
Sabile Keçmezi Basha, historiane, ka arritur të evidentojë të dhëna precizë që dëshmojnë për fatin kolektiv të shqiptarëve në ish Jugosllavi. Kështu, sipas saj, nga viti 1945 deri në vitin 1990, me burgim të rëndë u dënuan rreth 8220 shqiptarë, të cilëve iu shqiptuan mbi 66.672 vjet e 7 muaj burgim apo shndërruar në shekuj 666 shekuj, 72 vjet e 7 muaj. Mesatarja e dënimeve për individ ishte 7 vjet e një muaj. Vetëm në periudhën 1981-1990, me burg u dënuan 3.348 veta. Në këtë periudhë u dënuan edhe 1.346 ushtarë shqiptarë, ndërsa 63 u vranë në kazermat ushtarake. Nga policia (jugosllave) prej marsit 1981 deri në tetor 1989 u trajtuan 584.373 shqiptarë. Janë me qindra e qindra shqiptarë të Maqedonisë që u maltretuan, u burgosën e u vranë për shkak të mospajtimit me regjimin sllavo-komunist. Këto fakte flasin mjaftë për vuajtjen e shqiptarëve, të cilët e pësuan rëndë vetëm e vetëm se nuk pajtoheshin me politikat që i diktonte komunizmi jugosllav.
Siç thamë, politikat antishqiptare vazhduan edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në Serbi, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Vrazhdësinë e kësaj politike e ndjenë edhe shqiptarët e Maqedonisë, të cilëve dukshëm iu ngushtuan të drejtat e tyre më elementare, të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Ata vazhduan të trajtohen si element i rrezikshëm. Dhe, kur u harxhuan të gjitha mjetet demokratike, shpërtheu konflikti, i cili mori fund me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.
Absurdet vërtet janë të veçanta në Maqedoni. Dhe ndodhi si në thënien popullore: “Bretkosa kur sheh se mbathet kali, edhe ajo bën gati këmbën”. Menjëherë hapet tema e kërkim-faljes dhe, duke vlerësuar se fqinjët po pastrojnë me të kaluarën, dikush pa fijen e turpit i vë shqiptarët në një rrafsh me serbët dhe kërkon që si Nikoliçi që u kërko falje boshnjakëve për Srebrenicë, edhe Ahmeti të kërkojë falje për konfliktin e vitit 2001. Kjo, në fakt do të thotë se të gjithë shqiptarët në Maqedoni, janë fajtorë për atë që ndodhi gjatë konfliktit (shqiptarët, pa përjashtim, i vogël e i madh, mbështetën pjesëtarët e UÇK-së, të cilët iu kundërvunë pushtetit pikërisht për shkak të limitimit të të drejtave të tyre). Por, e vërteta ishte në anën e shqiptarëve, kurse këtë e katërcipërisht e verifikoi Tribunali i Hagës, përkatësisht u tregua qartë se kush në fakt bëri krime.
Shqiptarët, siç ka treguar historia, vazhdimisht kanë marrë vetëm pozicionin mbrojtës, pra asnjëherë nuk kanë qenë në pozicionin e agresorit, pavarësisht se me këtë nuk do të pajtohej pala maqedonase, e cila, ndryshe, nuk do të prodhonte absurde të njëpasnjëshme. Askush më shumë se populli shqiptar nuk e ka pësuar në Ballkan, sidomos ajo pjesë e mbetur në territoret shqiptare të shkëputura forcërisht me vendim të kancelarive evropiane. Pastrimi me të kaluarën dhe pajtimi i vërtetë do të ndodhë vetëm atëherë kur shtetet e dala nga ish Jugosllavia do t’u kërkojnë falje shqiptarëve, sepse kanë një mijë e një arsye që ta pastrojnë ndërgjegjen e historisë së tyre (të këtyre shteteve), e cila jo vetëm se do të mbetet e errët, por edhe e turpshme. Mjafton të përmenden masakrat e kohës së Mbretërisë jugosllave, masakrat e partizanëve komunist, tmerret e periudhës së shtetit komunist jugosllav, që për shqiptarët është një periudhë shumë e rëndë dhe në fund edhe periudhën e Maqedonisë së pavarur, e cila gjithashtu ishte mjaft e angësht për shqiptarët dhe do të arrijmë te përgjigja e pyetjes se kush kujt në fakt duhet t’i kërkojë falje. Faktet flasin qartë…