Kush është “ekstremisti i rrezikshëm” rus që ndodhet në Shqipëri prej dy muajsh?

Tiranë, 20 prill 2022 – Një shtetas rus, i cilësuar si person me “rrezikshmëri të lartë”, ka hyrë në Shqipëri rreth dy muaj më parë dhe nuk rezulton të ketë dalë nga vendi, të paktën jo zyrtarisht në pikat e kalimit kufitar.

Vladislav Pozdniakov ka hyrë nga Pika e Kalimit Kufitar të Hanit të Hotit. Pozdniakov është shpallur në kërkim prej kohësh në Malin e Zi, pasi është i dyshuar për njoftime të rreme me email për vendosje bombash në shkollat publike të vendit. I etiketuar si ekstremist, Pozdniakov dyshohet se ka dërguar emaile kërcënuese edhe institucioneve shtetërore në Malin e Zi, Ministrisë së Brendshme, shërbimeve të tjera të sigurisë dhe institucioneve të tjera duke kërkuar ndryshime në qeverinë e Malit të Zi. Të kërcënuara me emaile për vendosjen e bombave nga Pozdniakov janë edhe media të ndryshme në shtetin fqinj, të cilave u ka kërkuar që të mbajnë qëndrime pro Rusisë.

HYRJA NË SHQIPËRI

Vladislav Pozdniakov është themelues i grupimit ekstremist “Shteti i burrave” në Rusi, një grup i krijuar në vitin 2016. Ai propagandon në rrjetet sociale idetë e tij, ndërsa ka dëshmuar në vijimësi se është kundër grave dhe vajzave, që sipas tij, përfitojnë përmes burrave të shtypur. Ky shtetas që është i shpallur në kërkim në Malin e Zi dhe tashmë person në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare është dënuar në vitin 2018 në vendin e tij, por që u lirua me kusht për dy vite. Ky lirim, i shërbeu 30-vjeçarit që të arratisej nga vendi duke u transferuar në Malin e Zi. Ai jetoi në shteti malazez deri më 4 shkurt të këtij viti, datë në të cilën rezulton se është futur në territorin shqiptar me një automjet me targa ruse. Sipas burimeve, Pozdniakov është mbajtur për mbi një orë në doganën e Hanit të Hotit, por më pas ka kaluar sepse nuk ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar duke mos rezultuar në listën e Interpol.

Vladislav Pozdniakov

DËNIMET

Në vitin 2019, katër anëtarë të grupit nga Khabarovsk u dënuan me burg për aktivitete ekstremiste. Trajneri i fitnesit krijoi grupin në rrjetin rus të mediave sociale VKontakte, grup i cili ndiqej prej 150 mijë personazh. Grupi u bllokua në 2020, për nxitje për veprime të dhunshme. Pozdnyakov mbajti kanalin e tij në Telegram me më shumë se 80,000 abonentë. Shumë nga anëtarët e tij janë gjithashtu haptazi racistë dhe mizogjene, duke mbrojtur pikëpamjet nacionaliste të ekstremit të djathtë. Në vend të një organizate fizike me një seli të dedikuar dhe një bazë vullnetare, “Male State” është në thelb një rrjet i lirë profilesh të mediave sociale, shumica e tyre në ekuivalentin rus të “Facebook”, VK, dhe aplikacionin e mesazheve “Telegram”. Ato funksionojnë si forume virtuale për përkrahësit e një ideologjie që adhuruesit e përshkruajnë si “patriarkat kombëtar”, një botëkuptim që synon të rivendosë statusin e supozuar të shtypur të burrave, të cilët janë lënë mënjanë nga gratë që marrin role drejtuese në shoqëri në kurriz të tyre.

Cilat janë pikëpamjet ekstremiste të grupit rus?

Kur një Gjykatë në Nizhny Novgorod, mbi 400 kilometra në lindje të Moskës, shpalli një lëvizje radikale shoviniste “ekstremiste” të jashtëligjshme më 18 tetor të vitit të shkuar, udhëheqësi i saj famëkeq, Vladislav Pozdnyakov, nuk ishte i pranishëm për të argumentuar anën e tij të historisë. “Ku është Pozdnyakov tani?”, pyeti gjykatësja Anna Belova avokatin e aktivistit në Gjykatë. “As vetë nuk e di ku është”, u përgjigj avokati, Dzambolat Garabayev. Ajo që dihet publikisht është se Pozdnyakov, një trajner fitnesi 30-vjeçar, u largua nga Rusia në fund të vitit 2018. Ishte shenja e parë e problemeve për “Male State”, lëvizjen që ai themeloi dhe drejtoi dhe e cila më në fund u ndalua nga autoritetet pas vitesh që vepronin me pandëshkueshmëri relative.

Lëvizja ra në sy kur filloi fushatën kundër futjes në Rusi të një ligji për dhunën në familje. Pas një prej tubimeve të 14 shkurtit, Pozdnyakov shkroi në kanalin e tij “Telegram” se “feministët dhe aktivistët LGBT janë bio-plehra” dhe “njerëz të sëmurë psikologjikisht që nuk kanë vend mes njerëzve normalë”. “Male State” fitoi gjithashtu famë për shënjestrimin e grave në marrëdhëniet me burrat me ngjyrë dhe nënat e fëmijëve të racës së përzier. Madje, grupi shfaqi postime në internet që ekspozonin gratë që dyshohet se ishin shfaqur në video pornografike. Në disa raste, aktivistët i shantazhonin viktimat që t’u paguanin para në këmbim të një premtimi se burrat e tyre nuk do të informoheshin për veprimet. Në gusht 2021, zinxhiri ushqimor “Vkusvill” hoqi një reklamë që shfaqte një çift LGBT pasi aktivistët e grupit e kërcënuan atë në mediat sociale, duke pretenduar se kishte kaluar “vijën e kuqe” në mbrojtjen e dukshme të martesës së homoseksualëve.

(Senad Nikshiqi, Panorama)