Në moshën gjashtëvjeçare, Ana Ilazi u braktis nga prindërit biologjikë. Ajo u rrit në SOS-Fshatrat e Fëmijëve në Prishtinë.
Tashmë 19-vjeçare, Ana po jeton në një banesë private, pasi ka lënë SOS-in për fazën e gjysmë-pavarësimit, një proces nëpër të cilin kalojnë të gjithë fëmijët që rriten në SOS.
Deri në moshën 21-vjeçare, kur konsiderohet e pavarësuar plotësisht, një pjesë të qirasë ia financojnë SOS-Fshatrat e Fëmijëve, nën përkujdesin e të cilëve edhe është.
Pas kësaj moshe, Ana vetë do të kujdeset për qiranë dhe sigurimin e banimit.
Ana është studente e Fizioterapisë dhe punon si infermiere. Kjo ia ka rritur besimin se me forcat e veta do të arrijë të sigurojë banimin, edhe pse shprehet se po të kishte trashëgimi nga prindërit do ishte më e lehtë.
Ana nuk ka informacione se a ka trashëgimi nga familja e saj.
SOS-Fshatrat e Fëmijëve kanë kontribuar mjaftueshëm në rritjen, edukimin dhe arsimimin, thotë Ana, dhe për këtë konsideron se për një periudhë të shkurtër edhe shteti duhet të kontribuojë.
“Shteti duhet t’i ketë parasysh këto gjëra, se ne rritemi dhe kontribuojmë për shtetin, por edhe shteti duhet të kontribuojë për fëmijët që nuk kanë prindër, ose që janë braktisur”, thotë Ana për Radion Evropa e Lirë.
Me gjithë ndihmën e SOS-it dhe punën që bën, Ana tregon se në raste të caktuara ka momente të vështira financiare.
“Jo të gjithë fëmijët mund të kenë fatin tim, të punojnë. Ata e kanë të vështirë t’ia dalin vetë, sepse produktet dhe shërbimet janë të shtrenjta. Edhe unë, ndonëse punoj, nganjëherë kam probleme, sepse gjithçka është shtrenjtë”, tregon ajo.
Ana është në mesin e dhjetë personave mbi moshën 18-vjeçare, të cilët janë në fazën e gjysmë-pavarësimit nga SOS-i.
Ndërkaq, 39 fëmijë vazhdojnë të jetojnë në SOS-Fshatrat e Fëmijëve.
Këshilltari për kujdesin e të rinjve në SOS-Fshatrat e Fëmijëve, Bardhyl Plakolli, tregon se këta fëmijë, pas daljes nga organizata, ndihmohen në mënyrë financiare edhe për tre vjet.
Por, kjo shumë, sipas tij, është e pamjaftueshme.
“Viti i parë është me një shumë të konsiderueshme të të ardhurave, por jo të mjaftueshme. Kjo shumë në vitin e dytë shkon duke rënë në 50 për qind, në vitin e tretë bie në 25 për qind. Është një shkëputje graduale, që të rinjtë të bëhen të pavarur. Por, përgjithësisht, është e pamjaftueshme. Çka pas moshës 21-vjeçare?”, shprehet ai për Radion Evropa e Lirë.
Programi i gjysmë-pavarësimit deri në moshën 21-vjeçare zbatohet vetëm nga SOS- Fshatrat e Fëmijëve.
Kjo organizatë siguron fonde nga donatorë, nga organizata, nga Qeveria dhe nga individë të ndryshëm.
Legjislacioni në fuqi nuk parasheh ndonjë ndihmë për banim, shërbime apo forma të mbrojtjes për këta persona, pasi ta arrijnë moshën 18 vjeç.
Deri në këtë moshë, për fëmijët pa kujdes prindëror, që gjenden në strehim familjar, Qeveria ndan 250 euro, kurse për ata me aftësi të kufizuar 350 euro në muaj, thotë Lutfi Bislimi, zyrtar për strehim familjar dhe kujdestari në Ministrinë e Drejtësisë.
Ndihmë financiare deri në moshën 26-vjeçare
SOS-Fshatrat e Fëmijëve kanë kërkuar nga institucionet që të krijojnë bazë ligjore, në mënyrë që kjo kategori e shoqërisë të përkrahet edhe pas moshës 18-vjeçare.
Plakolli thotë se shumë fëmijë të SOS-it nuk kanë qasje në trashëgiminë e familjes dhe kjo e vështirëson të ardhmen e tyre.
Edhe Koalicioni i Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka kërkuar që shteti të garantojë mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror sipas nevojës, deri në moshën 26-vjeçare, deri sa ata të arsimohen, fuqizohen dhe pavarësohen.
Bislimi bën të ditur se janë në proces të ndryshimit të bazës ligjore, në mënyrë që kjo kategori e shoqërisë të financohet deri në moshën 26-vjeçare.
Projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare, që rregullon këtë çështje, shumë shpejt pritet të procedohet në Kuvend për miratim.
Deri në miratimin e këtij projektligji, ai thotë se komunat, përmes Qendrave për Punë Sociale, kujdesen për këta persona dhe i përkrahin ata.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale (QPS) në komunën e Prishtinës, Vebi Mujku, thotë se këta persona i ndihmojnë financiarisht nga buxheti komunal.
Aktualisht, thekson ai, janë duke financuar vetëm një person me aftësi të kufizuara, me 350 euro në muaj.
Edhe Mujku shprehet se ndihma materiale për këtë kategori duhet të ketë bazë ligjore.
“Ne po mundohemi t’i tejkalojmë problemet te këto raste. Sidomos në rastet kur kemi fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilëve nuk ka mundur t’iu bëhet një zgjidhje e përhershme në ndonjë familje apo institucion”, shprehet Mujku.
Megjithatë, profesor i Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Fadil Maloku, pohon se kushtet socio-ekonomike në Kosovë janë të vështira, çka ndikon edhe në jetën e këtyre personave, por ndihma materiale mund të krijojë varësi te personat pas moshës 18-vjeçare.
“Ndihma krijon një lloji varësie, dhe nuk e zhvillon ndjenjën e pavarësisë. Kështu që, me ndalimin e ndihmës, ata përgatiten për një pavarësi, solidaritet të ri që është në horizont. Pas moshës 18-vjeçare, konsiderohet i pjekur, dhe ai duhet të mendojë për jetën e tij”, thotë Maloku për Radion Evropa e Lirë.
Në Kosovë, 529 fëmijë nën moshën 18-vjeçare janë pa kujdes prindëror dhe të braktisur. Aktualisht, 415 fëmijë pa kujdes prindëror janë në strehim familjar te farefisi, 51 fëmijë të tjerë janë në strehim familjar jashtë farefisit dhe 63 fëmijë janë në strehim rezidencial, në tri organizata që përkujdesen për këta fëmijë.
(Nadije Ahmeti, REL)