Kush mund të votojë në zgjedhjet presidenciale në SHBA?

Avokati Kieran Both

Nga Avokati Kieran Both (email për pyetje mbi çështje emigracioni: [email protected])

Për amerikanët, votimi në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara është një nga mënyrat më të rëndësishme për të qenë pjesë aktive e demokracisë.

Përpara së të votoni, sigurohuni që keni të drejtë të votoni!

Votimi në zgjedhje pa leje ose, nën pretendimin se jeni nënshtetas amerikan, përbën shkelje të ligjit federal dhe mund të përballeni me gjobitje ose burgim. Diçka e tillë mund të dëmtojë gjithashtu shanset tuaja për të siguruar përfitime të caktuara nga emigracioni dhe mund të çojë deri në dëbim nga vendi. Edhe nëse jeni regjistruar gabimisht për të votuar, si për shembull kur keni bërë rinovimin e patentës së shoferit, nëse nuk i përmbushni kërkesat e nevojshme, nuk keni të drejtë të votoni në mënyrë të ligjshme. Nëse nuk jeni të sigurt nëse keni ose jo të drejtë për të votuar, është e rëndësishme të pyesni avokatin tuaj të emigracionit.

Që të mund të votoni në zgjedhjet federale në SHBA, duhet të përmbushni kriteret e mëposhtme:

• Të jeni nënshtetas amerikan:

• ose sepse keni lindur në SHBA,

• ose, sepse megjithëse keni lindur jashtë SHBA-së, jeni fëmija i një nënshtetasi amerikan

• ose nëpërmjet natyralizimit;

• Të përmbushni kërkesat për vendbanim të shtetit ku ndodheni;

• Të jeni të paktën 18 vjeç në ditën e zgjedhjeve;

• Mund të keni mundësi të regjistroheni përpara zgjedhjeve nëse do të jeni 18 vjeç në ditën e zgjedhjeve; kontrolloni cilat janë kriteret e shtetit ku banoni këtu: https://www.usa.gov/voter-registration-age-requirements.

• Regjistrohuni për të votuar brenda afatit të fundit që parashikon rregullorja e  shtetit ku banoni.

• Mësoni më shumë në faqen: https://www.usa.gov/election-office

Disa shtete kanë rregulla që u vënë kufizime personave që mund të votojnë bazuar në:

• Dënimet për vepra penale

• Paaftësinë mendore

Për pyetje nëse mund të votoni në shtetin ku ndodheni, kontaktoni zyrtarët përkatës që merren me proçesin zgjedhor në juridiksionin (zakonisht qarkun) ku dëshironi të regjistroheni dhe të votoni.

Mënyrat për të votuar:

• Votoni duke u paraqitur vetë fizikisht në qendrën e caktuar të votimit në ditën e zgjedhjeve

• Votoni përpara kohe duke u paraqitur vetë fizikisht në vendin që është caktuar për votim të parakohshëm

• Nëse është e mundur, për rastet kur nuk mund të paraqiteni vetë fizikisht, kërkoni një fletëvotim “me postë/në mungesë” dhe votoni me postë

• Mësoni më shumë në faqen: https://www.usa.gov/absentee-voting

• Sipas nevojës, kërkoni një fletë votimi të përkohshme

• Informohuni më shumë në faqen: https://www.ncsl.org/elections- and- campaigns/provisional-ballots

Donacione ose shërbim vullnetar në një fushatë politike:

Nënshtetasit amerikanë dhe personat me green card, përfshirë këtu dhe ata që jetojnë jashtë vendit, mund të kontribuojnë me para dhe shërbim vullnetar në fushatat politike federale.

Për më shumë informacion, shikoni faqen: https://www.fec.gov/help-candidates-and-committees/foreign-nationals/

Nënshtetasit e huaj, përfshirë dhe ata që përfitojnë nga programet DACA, TPS si dhe personat e pajisur me vizë joemigruese, nuk mund të japin para për fushatat politike. Megjithatë, ata mund të ofrojnë shërbime vullnetare (pa pagesë) për këto fushata, sa kohë që roli i tyre nuk është vendimmarrës.

Për më shumë informacion, shikoni faqen: https://www.fec.gov/updates/foreign-nationals/

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]

Për përmbajtjen e këtij artikulli, falenderojmë shoqatën kombëtare të avokatëve të emigracionit AILA. Kjo shoqatë përbëhet nga mbi 15,000 anëtarë me vendndodhje në çdo shtet të Shteteve të Bashkuara si dhe në mbarë botën. © 2024 American Immigration Lawyers Association