Kushtetuesja e hedh poshtë ankesën e Mustafës për shkelje të të drejtave të tij gjatë gjykimit

Hagë, 17 prill 2025 – Paneli i Gjykatës Kushtetuese në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë e ka hedhur poshtë ankesën e Salih Mustafës për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij gjatë gjykimit ndaj tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Dhoma e Gjykatës Kushtetuese tha se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, prandaj i shpalli të papranueshme një pjesë të ankesave të Mustafës, ndërsa të tjerat i rrëzoi, thanë Dhomat e Specializuara në një njoftim për media të enjten.

Mustafa është duke e vuajtur një dënim me 15 vjet burgim në Hagë, për krime lufte dhe vrasje të paligjshme gjatë vitit 1999 në Kosovë.

Ai u ankua se për shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë si pasojë e mungesës së arsyetimit prej trupit gjykues dhe panelit të Apelit në lidhje me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme.

Por, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese tha se nuk kishte gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre.

“Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të Mustafës në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet në njoftim.

Mustafa gjithashtu u ankua se paneli i Gjykatës Supreme nuk kishte identifikuar me saktësi dispozitën ligjore më të butë për dënimin e tij kur përjashtoi ligjin që kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale, por Kushtetuesja tha se ankesa e tij nuk qëndron.

“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se mbi bazën e nenit 162(1) të Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në pajtim me kornizën e tyre ligjore brenda sistemit juridik të Kosovës”, tha ajo.

Ndër ankesat e tjera të Mustafës ishte edhe ndaj vendimit të panelit të Gjykatës Supreme për të lejuar mbrojtësin e viktimave të paraqiste përgjigje me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë, duke thënë se kjo kishte shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë.

“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se asgjë në ankesën e Mustafës nuk krijonte perceptimin e shkeljes së një të drejte kushtetuese… si pasojë, ankesa u shpall e papranueshme”, thuhet në njoftim.

Për çfarë u dënua Mustafa?

Fillimisht, në dhjetor të vitit 2022, Mustafa ishte dënuar për krime lufte me 26 vjet burgim për vrasje të paligjshme, ndalim arbitrar dhe torturë.

Por, në dhjetor të vitit 2023, Apeli ia kishte ulur dënimin në 22 vjet burgim, para se paneli i Gjykatës së Apelit t’ia shqiptonte atij një vit më vonë një dënim të njësuar prej 15 vjetësh burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim.

Mustafa ishte arrestuar dhe më pas dërguar në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara më 24 shtator të vitit 2020.

Procesi gjyqësor kishte nisur më 15 shtator të vitit 2021 dhe në të kanë marrë pjesë 29 dëshmitarë – 14 të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe 15 të mbrojtjes. Gjatë gjykimit edhe tetë viktima kanë dhënë dëshmitë e tyre.

Mustafa është personi i parë që është dënuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë – që njihen edhe si Gjykata Speciale – lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me krime lufte.

Në korrik të këtij viti, Gjykata ka dënuar edhe Pjetër Shalën me 18 vjet burgim, për krime lufte.

Përveç Mustafës dhe Shalës, të akuzuar për krime lufte janë edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi.

Gjyqi ndaj tyre është duke vazhduar, ndërsa së fundi është thënë se dëshmitarët e fundit të ftuar nga prokurorët do të dëshmojnë deri më 4 prill.

Më herët, nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për pengim të administrimit të drejtësisë, por më pas janë liruar me kusht.

Gjykata Speciale heton krimet që pretendohet se janë kryer nga ish-anëtarët e UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në periudhën janar 1998 – dhjetor 2000. Ajo ka selinë në Hagë të Holandës, por funksionon sipas ligjeve të Kosovës.

(Radio Evropa e Lirë)

Comment

*