Tiranë, 11 prill 2025 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e ka pranuar pjesërisht ankimimin e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për shfuqizimin e sekuestrove ndaj pronave dhe llogarive bankare të tij.
Ish numri dy i qeverisë është në arrati prej qershorit 2023, ndërsa prej 24 korrikut të vitit të kaluar është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ndaj Arben Ahmetajt janë ngritur akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ahmetaj dyshohet se gjatë funksionit të tij si ministër, mori disa akte për t’i mundësuar sipërmarrësve lidhjen e kontratave koncensionare.
Arben Ahmetaj ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë dhjetë vjetëve të qeverisjes së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka qenë drejtues i Drejtorisë së Tatimeve, ministër i Ekonomisë dhe Sipërmarrjes, ministër i Financave, zëvendëskryeministër dhe ministër i Rindërtimit.