Kushtetuesja e rrëzon kërkesën që zgjedhjet e 30 qershorit të shpallen antikushtetuese

Tiranë, 4 nëntor 2021 – Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Shoqatës së Bashkive për shpalljen të pavlefshëm të 30 qershorit dhe mbajtjen sërish të zgjedhjeve lokale.

Gjykata Kushtetuese i ishte drejtuar Komisionit të Venecias për të marrë një opinion final në lidhje me zgjedhjet, në të cilat opozita nuk mori pjesë. Në njoftimin e saj kjo gjykatë thekson se vendimi u mor pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues dhe mori në shqyrtim opinionin ‘amicus curiae’ të Komisionit të Venecies.

Sipas “Kushtetueses”, vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.

Zgjedhjet e 30 qershorit janë bërë objekt debati dhe përplasje mes opozitës dhe maxhorancës, si dhe presidentit të Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit asokohe zhdekretoi 30 qershorin dhe vendosi një tjetër datë për zgjedhjet, 13 tetorin. Por pavarësisht këtij fakti, maxhoranca hyri në zgjedhjet e 30 qershorit.

NJOFTIMI I GJYKATES

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë mori në shqyrtim në seancat plenare publike në datat 23.06.2021 dhe 02.11.2021 çështjen me palë kërkuese Shoqata e Bashkive të Shqipërisë, me objekt:

  1. Konstatimin antikushtetues të zgjedhshmërisë/procesit zgjedhor të zhvilluar në 30 qershor 2019 për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, të kryetarëve të bashkive dhe anëtarëve të këshillave bashkiakë, dhe si rrjedhojë konstatimin antikushtetues të zgjedhjes së anëtarëve të këtyre organeve.
  2. Verifikimin e kushtetutshmërisë së veprimtarisë së partisë Bindja Demokratike në lidhje me regjistrimin e saj në gjykatë dhe zgjedhjet e datës 30 qershor 2019.

Gjykata Kushtetuese, pasi dëgjoi palët ndërgjygjëse në gjykimin kushtetues, mori në shqyrtim opinionin amicus curiae të Komisionit të Venecies.

VENDOSI:

– Rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

(BalkanWeb)