Kushtetuesja vendos në favor të Qeverisë për faljen e tatimit në pronë

Prishtinë, 22 nëntor 2023 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që vendimi i Qeverisë së Kosovës për faljen e tatimit në pronë, përmes ndryshimeve në Ligjin për tatim në pronë, nuk cenon përgjegjësitë komunale.

Në gusht, komuna e Prizrenit dorëzoi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për të kontestuar nenin 5 të ligjit të ndryshuar, që parasheh faljen në vlerë prej 100 eurosh të tatimit në pronë për çdo tatim-pagues për vitin tatimor 2023.

“…Si i tillë, ky i fundit [neni 5 i Ligjin për tatimin në pronë], nuk cenon përgjegjësitë komunale apo nuk zvogëlon të hyrat e komunës në kundërshtim me garancitë kushtetuese dhe legjislacionin e aplikueshëm në kontekst të ushtrimit të kompetencave të komunës për të caktuar, mbledhur dhe shpenzuar tatimin në pronën e paluajtshme brenda territorit të komunës përkatëse”, thuhet në njoftimin e Kushtetueses.

Komuna e Prizrenit e kishte dërguar ligjin  në Gjykatën Kshttuese me pretendimin se neni 5 i këtij ligji e shkurton buxhetin e komunave të Kosovës.

Më 4 shtator, me të pranuar kërkesën e komunës së Prizrenit, Kushtetuesja kishte vendosur masë të përkohshme për ligjin, deri në një vendim përfundimtar.

Ligji për tatimin në pronë ka hyrë në fuqi më 14 gusht.

Më herët gjatë këtij viti, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, kishte deklaruar se në bazë të ndryshimeve ligjore, 85 për qind e tatim-paguesve nuk do të paguanin asgjë për vitin 2023, 10 për qind të tjerë do të paguanin më pak se 100 euro dhe vetëm 5 për qind e tatim-paguesve do të paguanin më shumë se 100 euro.

Por, vendimi për faljen e tatimit në pronë pasoi rritjen e këtij tatimi në vitin 2023. Rritja u shkaktua pas vlerësimit të përgjithshëm të tokave dhe objekteve të banuara që bëri Ministria e Financave vitin e kaluar.

(r.m.)