Kushtetuesja vendos që qytetarët të kompensohen për rrymën e paguar për komunat veriore

Prishtinë, 11 mars 2024 – Gjykata Kushtetuese më 11.03.2024 ka publikuar aktgjykimin në rastin e parashtruar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të Gjykatës Supreme lidhur me kompensimin e qytetarëve për rrymën e paguar për komunat veriore.

Gjykata njëzëri ka konstatuar që aktgjykimi i Supremes i datës 09.03.2023 nuk është në kundërshtim me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të paraparë me Kushtetutë dhe të drejtën për një proces te rregullt të paraparë me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Ky rast ndërlidhet me padinë e ushtruar nga Avokati të Popullit përmes së cilës kërkohej që të anulohej një vendim i datës 06.02.2012 i Zyrës së Rregullatorit për Energji “për reduktimin e humbjeve të shpërndarjes së energjisë elektrike”.

Përmes këtij vendimi rryma e shpenzuar në komunat në veri të vendit, përkatësisht Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq ishte paguar nga qytetarët e tjerë të Kosovës.

E pjesë e kësaj padie ishte edhe kërkesa për kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në këto katër komuna.

Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore kishte anuluar si të kundërligjshëm vendimin e lartcekur të Zyrës së Rregullatorit për Energji dhe kishte urdhëruar kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në veri.

Kompensimi ishte urdhëruar që të bëhet për periudhën 06.02.2012 deri më 20.10.2017 në vlerën 40.855.480.00 euro.

Konstatimi i Gjykatës Themelore u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

Sipas gjykatave të rregullta të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në 4 komunat veriore tek konsumatorët e tjerë kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e Kushtetetuës përkatësisht kufizimit të të drejtave dhe lirive themelore dhe Ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, sepse nuk ka pasur qëllim legjitim dhe proporcionalitet ndërmjet mjeteve të përdorura dhe qëllimit të synuar.

Në njoftim thuhet se parashtruesi i kërkesës, përkatësisht Zyra e Rregullatorit për Energji, para Gjykatës kontestoi vendimmarrjen e gjykatave të rregullta, duke pretenduar që të njëjtat janë nxjerrë në shkelje të të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të Kushtetutës në lidhje me të drejtën për një proces të rregullt të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, si rezultat i zbatimit qartazi të gabuar të ligjit, si dhe mungesës së arsyetimit të vendimit gjyqësor.

Gjykatat e rregullta kishin marrë parasysh dhe kishin konstatuar që një praktikë e tillë e faturimit nuk është e autorizuar me ligj dhe konsiston në trajtim jo të barabartë të qytetarëve të 4 komunave në raport me qytetarët në pjesën tjetër të Kosovës.

Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi që aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

(Kallxo.com)