Kuvendi i Bashës e miraton rezolutën që e shpall të pavlerë Kuvendin e Berishës

Tiranë, 18 dhjetor 2021 – Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike që u mbajt sot (e shtunë, 18 dhjetor), i ftuar nga Lulzim Basha, e ka miratuar rezolutën e Këshillit Kombëtar të PD-së, më 12 dhjetor.

Në pikën e pare të rezolutës vlerësohet si shqetësuese situara e krijuar në PD nga lëvizja e ish-kryetarit të partisë, Sali Berisha, pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar i PD-së.

Sipas rezolutës, Kuvendi Kombëtar i 11 dhjetorit, i organizuar nga Berisha dhe mbështetësit e  tij,  përbën shkelje të normave statutare që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen në Partinë Demokratike.

Rezoluta thekson se Kuvendi i 11 dhjetorit “falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike, në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore”.

Rezoluta dënon, siç thuhet, lëvizjet që bien ndesh me marrëdhëniet strategjike me SHBA,  duke iu referuar Lëvizjes së Berishës.   

“Partia Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA”, thuhet në rezolutë.

Rezoluta e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike:

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike i mbledhur sot në 12 dhjetor 2021 në përmbushje të përgjegjesive të veta politike dhe statutore, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve,

-Diskutoi mbi situatën shqetësuese të krijuar nga lëvizja e zotit Sali Berisha pas pezullimit të tij nga Grupi Parlamentar dhe tubimi i tij përmbledhës i datës 11 dhjetor;

-Konstatoi se thirrja e ketij tubimi me pretendimin se po mblidhte një Kuvend të Partisë Demokratike dhe të ashtuquajturat “vendime” shkelin të gjitha normat e Statutit të PD-së që rregullojnë funksionimin dhe vendimarrjen e saj si institucion politik;

-Vëren se tubimi falsifikoi dhe përdori simbolet dhe logot e Partisë Demokratike në thyerje flagrante të normave statutore dhe ligjore;

-Vlerëson se lëvizja “Berisha” dhe tubimi i djeshëm si finalizim i saj janë një përpjekje për të deligjitimuar institucionet e Partisë Demokratike deri në shbërjen e saj si forca më properëndimore në vend, duke synuar shndërrimin e saj në një bunker për mbojtjen e interesave personale të Sali Berishës përballë SHBA.

-Konkludon se çdo i ashtuquajtur qëndrim apo vendim i këtij tubimi është nul dhe nuk ka asnjë vlerë politike dhe ligjore për Partinë Demokratike.

-Afirmon se Kuvendi Kombëtar i datës 18 dhjetor është Kuvendi i vetëm i ligjshëm e gjithëpërfshirës i demokratëve, ku do të diskutohet, debatohet e vendoset në mënyrë demokratike për thellimin e demokracisë se brendshme dhe fuqizimin e PD-së përballë sfidave të kohës.

– Konsideron se duke instrumentalizuar disa problematika të brendshme të Partisë Demokratike, shqetësimet dhe ndjeshmëritë e sinqerta të mjaft demokratëve pas masakrës zgjedhore të 25 prillit, si dhe duke mobilizuar e mbedhur rreth vetes një grup organizatorësh me agjendë dhe interesa personale të së shkuarës dhe të sotmes, lëvizja “Berisha” për të shantazhuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç e deklaroi hapur në fjalën e tij, Sali Berisha hodhi dje bazat e një organizatë politike me frymëzim antiamerikan që vetëm me PD-në nuk ka e nuk do të ketë asnjë lidhje kurrë. Kjo është lëvizja e parë antiamerikane në historinë e tri dekadave të sistemit demokratik dhe e dyta në historinë e Shqipërisë pas asaj të Enver Hoxhës.

-Partia Demokratike distancohet me forcë dhe dënon lëvizje të tilla që bien ndesh me përcaktimet identitare të saj, me interesat e demokratëve dhe të gjithë shqiptarëve, me marrëdhëniet strategjike jetike të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar me SHBA.

-Këshilli Kombëtar apelon demokratët që ishin në tubimin e 11 dhjetorit për shqetesimet e tyre legjitime, që nuk kanë lidhje me agjendën dhe interesat përsonale të Sali Berishës, të reflektojnë dhe të qëndrojnë të bashkuar me shumicën e demokratëve rreth historisë dhe vlerave të shenjta të Partisë Demokratike.

-Këshilli Kombëtar e konsideron luftën kundër korrrupsionit dhe pandëshkushmërisë në sferat e larta si një element kyç për vendosjen e shtetit të së drejtës, mbajtjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme, integrimin e Shqipërisë në BE, mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, zhvillimin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare. Në ketë luftë vendosja nga SHBA e antikorrupsionit si përparësi e politikës së saj dhe përdorimi i sanksioneve kundër zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të korruptuar në Shqipëri ka qenë dhe është një faktor vendimtar për shembjen e sundimit aktual dhe shumëvjeçar të korrupsionit dhe paligjshmërisë në vend.

-Këshilli Kombëtar shpreh vlerësimin dhe e mbështetjen e plotë për ngritjen në një nivel të ri dhe më të ngushtë të marrëdhënive të bashkëpunimit të Partisë Demokratike dhe kryetarit të partisë me SHBA.

-Këshilli Kombëtar mbështet të gjithë veprimtarinë dhe vendimarrjen e Kryetarit, Kryesisë dhe Grupit Parlamentare për mbrojtjen e interesit të Partisë Demokratike dhe vlerave të saj si opozita dhe altenativa e vetme për largimin e regjimit të Edi Ramës dhe rikthimin e demokratëve si forcë qeverisëse.

(r.m.)