Prishtinë, 2 prill 2021 – Projektligji për Ndryshime dhe Plotësime të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë do të procedohet për shqyrtim e miratim në procedurë të rregullt.
Kuvendi i Kosovës, në seancën e jashtëzakonshme, në orët e vona gtë mbrëmjes, votoi kundër miratimit me procedurë të shpejtuar të këtij projektligji.
Për miratimin me procedurë të përshpejtuar votuan 65 deputetë, ndërsa kundër miratimit votuan 39 deputetë.
Për miratimin me procedurë të përshpejtuar të nismave legjislative në Kuvendin e Kosovës nevojiten votat e dy të tretave të deputetëve.
Tri partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – thanë se me votimin kundër miratimit me procedurë të përshpejtuar të këtij projektligji u parandalua ngulfatja e demokracisë në Kosovë.
Ato i bënë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të tërheqq nga procedura miratimin e këtij projektligji para se të bëhet konstituimi dhe funksionalizimi I të gjitha institucioneve shtetërore, përfshirë zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Lidhja Demokratike e Kosovës paralajmëroi se deputetët e saj nuk do të marrin pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit, në qoftë se ky projektligj nuk tërhiqet nga procedura.
Seanca për zgjedhjen e presidentit duhet të mbahet më së largu më 5 prill.