Prishtinë, 15 janar 2022 – Kuvendi i Kosovës e miratoi të shtunën një rezolutë që shpreh kundërshtimin e organizimit të votimeve në Kosovë për referendumin e Serbisë.
Rezoluta u miratua me 76 vota për dhe me 1 abstenim, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të thirrur nga Kryeministri Albin Kurti.
Ajo kërkon që Qeveria dhe institucionet tjera shtetërore të Kosovës “të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikën së Kosovës”.
Rezoluta u propozua nga katër grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit parlamentar Multientik.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk morën pjesë në seancë, me arsyetim se Qeveria është autoritet që mund të marrë vendime papasur nevojë për rezolutë të Kuvendit.
Një ditë më parë, udhëheqësit e institucioneve më të larta shtetërore të Kosovës – Presidentja Vjosa Osmani, Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe Kryeministri Albin Kurti, përmes një deklarate të përbashkët u shprehën kundër organizimit të votimit në Kosovë për referendumin e Serbisë që do të mbahettë dielën,më 16 janar.
Ata e shprehën këtë qëndrim pas takimit me përfaqësues të vendeve të QUINT-it (SHBA-së,Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë) dhe BE-së, në një deklaratë të përbashkët.
Në deklaratën e krerëve të shtetit të Kosovës thuhej se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si edhe të praktikave ndërkombëtare.
“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër”, thuhej në deklaratë.
Aty përsëritej qëndrimi i Qeverisë së Kosovës se qytetarët serbë të Kosovës që kanë dyshtetësi do të mund të votojnë “në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare”, përmes postës dhe në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
Përmbajtja e rezolutës:
- Kuvendi si përfaqësues i qytetarëve shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Serbisë në Kosovë cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Kosovës dhe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe normat ndërkombëtare.
- Kuvendi kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të ndërmerren veprimet për të mos lejuar cenimin e sovranitetin dhe rendin kushtetutës nga mbajtja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Kosovës.
- Kuvendi thekson përkushtimin e Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Kosovës në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën.
- Kuvendi në këtë frymë vë në pah të drejtën e qytetarëve me dyshtetësi të Kosovës të ushtrojnë të drejtën e votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare, në rastin konkret, qytetarëve serbë që kanë shtetësi edhe të Serbisë u garantohet e drejta të votojnë përmes postës dhe zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.
- Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës dhe përfshirja e strukturave ilegale në një organizim të tillë përbën shkelje të ligjeve dhe Kushtetutës të Kosovës dhe praktikave ndërkombëtare.
- Kuvendi shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serbë të Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Kosovës.
- Kuvendi mirëpret qëndrimet e prera të bashkësisë ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen për të drejtat legjitime dhe qasjen parimore të Kosovës sepse vetëm duke u trajtuar të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund t’u garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma euro-atlanatike e rajonit. Kërkojmë nga Qeveria të vazhdojë bashkërendimin me partnerët strategjikë të Kosovës në interes të ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe sovranitetit shtetëror.
- Kuvendi mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe të drejtave të qytetarëve dhe garantimin e demokracisë dhe vazhdimin e agjendës euro-atlantike të rajonit tonë.
(r.m.)