Kuvendi i Kosovës e shkarkon bordin e RTK-së

Prishtinë, 8 korrik 2021 – Kuvendi i Kosovës i ka shkarkuar të enjten anëtarët e bordit të transmetuesit publik të Kosovës, Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Deputetët votuan për shkarkimin e tetë antarëve të bordit, pas rekomandimit të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal.

Kryetar i bordit të RTK-së ka qenë Sali Bashota.

Në mesin e anëtarëve të tjerë kanë qenë edhe: Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, Doarsa Kica-Xhelili, ka thënë se rekomandimi për shkarkim bëhet në pajtim me Ligjin për RTK-në.

Ajo ka thënë se anëtarët e bordit drejtues “në vazhdimësi kanë dështuar t’i sigurojnë qasje të papenguar dhe të pakontestuar Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm në auditivin e rregullsisë dhe performancës”.

Sipas saj, viteve të fundit ka pasur tendencë për shpenzime të mëdha dhe rritje të pakontrolluar të numrit të punëtorëve.

Kica-Xhelili ka thënë se, më 2020, në RTK ishin të punësuar 1.024 puntorë, nga të cilët 806 me kontrata të rregullta.

“Kjo ka shkaktuar gjendje të rëndë financiare, shprehur përmes borxhit të RTK-së që varion në mes të 2.6 milionë dhe 5.2 milionë eurove ndërmjet 2018 – 2020”, ka thënë ajo.

Kica-Xhelili ka thënë edhe se bordi nuk ka siguruar që shpenzimet e RTK-së të mos kalojnë të hyrat, gjë që e ka për detyrë.

Kundër shkarkimit të bordit të RTK-së janë shprehur partitë në opozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Bedri Hamza nga PDK-ja ka thënë se po vendoset një presedan i keq në Kosovë dhe se Kuvendi po shndërrohet në gjykatë.

“Shkarkoni me një vendim të gjitha bordet”, ka porositur Hamza.

Agim Veliu nga LDK ka thënë se RTK ka pasur nevojë për një auditim të thellë, por jo për llogaridhënie kolektive.

“Kjo që po ndodh sot nuk është ndikim, por kapje klasike ose shtetëzim i transmetuesit publik”, ka thënë ai.

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) është transmetues publik i Kosovës. Themelues i RTK-së është Kuvendi i Kosovës.

Sipas ligjit, Kuvendi e mbron autonominë institucionale dhe siguron financim adekuat për realizimin e misionit të shërbimit publik të RTK-së, të përcaktuar me ligj.

Bordi i RTK-së është organ kolegjial-drejtues i RTK-së me 11 anëtarë, të cilët, sipas ligjit, duhet të jenë personalitete të dalluara të fushave të ndryshme, si: kultura, arti, kinematografia, gazetaria, drejtësia, univdersiteti, biznesi, media etj.

(r.m.)