Kuvendi i Kosovës kërkon zgjidhje për grevën e punëtorëve të arsimit

Prishtinë, 22 shtator 2022 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 22 shtator debatuan për grevën në arsim, që ka hyrë në javën e katërt. Megjithatë, një rezolutë për këtë temë nuk u votua për shkak të mungesës së kuorumit, dhe u shty për të premten.

Deputetët e partive opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ofrojë zgjidhje për t’i dhënë fund grevës në sektorin e arsimit në Kosovë. Sipas tyre, është obligim i Qeverisë t’i kthejë fëmijët në shkolla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën ku u diskutua për grevën në arsim, tha se janë adresuar të gjitha “kërkesat e arsyeshme” të sindikalistëve të arsimit.

Ai tha se pranon arsyeshmërinë e Këshillit grevist se janë shtrenjtuar çmimet e shportës ushqimore dhe ka inflacion, por mënyra si zgjidhet kjo, sipas tij, nuk janë përmes kërkesave të tyre dhe ai nuk mund t’i plotësojë ato.

“Kërkesa e saktë [e sindikatave] ka qenë ‘derisa të kalojë Projektligji për pagat, na jepni nga 100 euro në muaj’. Ne e kemi bërë dimenzionimin ndryshe, duke e dëgjuar arsyetimin. Arsyetimi thotë është shtrenjtuar shporta elementare ushqimore. Kjo është e drejtë, por meqenëse është shtrenjtuar shporta ushqimore, ‘mi jep 100 euro për muaj derisa të zbatohet Ligji për paga’, nuk e bëjmë dot”, tha ai.

Për t’u përballuar me inflacion, kryeministri Kurti tha se kanë miratuar tashmë pakon për të ndihmuar qytetarët.

Përmes kësaj pakoje, Qeveria ka ndarë për të gjithë punonjësit e sektorit publik nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj.

Megjithatë, sindikalistët kanë thënë se kjo shumë është e pamjaftueshme.

Greva ka lënë jashtë shkollave afro 300.000 nxënës dhe nuk ka asnjë datë të mundshme për fillimin e procesit mësimor.

Deputeti i subjektit opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti, që t’i rikthehet dialogut me sindikatat dhe të bëjnë një zgjidhje që i jep fund grevës dhe kthen fëmijët në shkolla.

“Sot është java e katërt e grevës dhe humbja e këtyre ditëve në shkollë është e dëmshme për fëmijët”, tha Hoxhaj.

PDK-ja ka propozuar rezolutë që kërkon nga Qeveria që në një afat prej 48 orësh të zhvillojë dialog me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), në mënyrë që të zhbllokohet situata me grevën.

Po ashtu kjo rezolutë kërkon që në afat prej pesë ditësh të përfshihet Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës në grupin punues për hartimin e Ligjit të pagave.

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka kërkuar nga Këshilli grevist që të ndërpresë grevën, pasi siç tha ajo, dëmi që i është shkaktuar fëmijëve është i pariparueshëm.

“E drejta për grevë është e garantuar me ligj, por sa herë e shfrytëzojmë një të drejtë tonë duke i shkaktuar dëm dikujt tjetër, e bëjmë keqpërdorimin e asaj të drejte. Dëmi që është duke iu shkaktuar fëmijëve është me pasoja të pariparueshme në periudhë afatmesme”, tha Kusari-Lila.

Ajo tha se të gjitha kërkesat e sindikatës së arsimit janë në procedurë.

Mësimdhënësit e të gjitha institucioneve publike janë në grevë, me kërkesën për mbështetje financiare prej 100 eurosh në muaj deri në fillimin e zbatimit të Projektligjit për paga. Përjashtim bëjnë vetëm disa mësimdhënës që individualisht kanë nisur t’i mbajnë orët.

Paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, ndërsa me ligjin e ri pritet të arrijë në 620 euro.

Mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe kjo shumë pritet të rritet në 696 euro.

Projektligji për paga, nga data 15 shtator deri më 6 tetor, është në procedurë të konsultimeve publike.

Më pas, ai duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend dhe të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.

Ligji hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.

(REL)