Prishtinë, 3 mars 2022 – Deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan sot një Rezolutë në mbështetje të Ukrainës.
Rezoluta, e cila u miratua me 94 vota, e dënon agresionin e Rusisë në Ukrainë, e mbështetet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështe sanksionet ekonomike të botës demokratike ndaj Rusisë.
Para hedhjes së rezolutës në votim, për miratimin e saj u shprehën të gjitha grupet parlamentare në pozitë dhe opozitë, përveç grupit parlamentar të Listës Serbe që shprehu rezerva ndaj tekstit të rezolutës.
Deputetët e këtij grupi parlamentar nuk morën pjesë fare në votimin e rezolutës.
Gjatë seancës deputetët e Kuvendit të Kosovës e shprehën edhe në mënyrë simbolike mbështetjen për Ukrainën. Në fillim të seancës ata mbajtën një minut heshtje për viktimat e agresionit rus në Ukrainë dhe gjatë gjithë seancës mbajtën para vetes flamurin e Ukrainës me mbishtrimin “We stand with Ukraine”.
Teksti i rezolutës:
Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 6, paragrafi 1, të Rregullores së Kuvendit.
Nisur nga gjendja e krijuar në Ukrainë, ku kontinenti evropian po përballet me situatë të paprecedent që nga Lufta e Dytë Botërore;
Duke e pasur parasysh se sulmi i Federatës Ruse ndaj Ukrainës është kërcënim për sigurinë e Ukrainës dhe popullit të saj, por dhe kërcënim ndaj vlerave demokratike, sigurisë në Evropë dhe paqes në botë;
Duke njohur vuajtjet e sakrificat e luftës, i japim mbështetje të plotë popullit të Ukrainës, institucioneve demokratike, të cilat po e mbrojnë atdheun, paqen e lirinë si vlera universale, duke luftuar e duke u mbrojtur nga sulmi pushtues i Federatës Ruse, i nisur më 24 shkurt 2022 dhe i paraprirë me aneksimin e dhunshëm dhe arbitrar të Krimesë dhe rajoneve të Donbaskut prej vitit 2014;
Duke ritheksuar shqetësimin e lartë për ndikimin dhe ndërhyrjen e Federatës Ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Serbisë, Republikës Serbe në Bosnjë e Hercegovinës dhe manifestimet e saj obstruksioniste si përpjekja e dështuar për grushtshtetin në Mal të Zi, përpjekjet e ngjashme në Maqedoninë e Veriut, deri te përfshirja e ambasadorit të Federatës Ruse si kërcënim i bashkërenduar me presidentin e Serbisë në inspektimin ushtarak të forcave serbe në kufirin me Kosovën gjatë shtatorit 2021;
Duke theksuar se çështja e Kosovës në Jugosllavi dhe ndërhyrja e NATO-s në Kosovë për ta ndalur aparatin shtetëror të ish-Jugosllavisë dhe Serbisë nuk ka asnjë ngjashmëri me agresionin rus në Ukrainë dhe institucionet e saj legjitime. Ndërhyrja e NATO-s kishte për qëllim ndalimin e spastrimit etnik të Kosovës dhe shpëtimin nga gjenocidi, i shkaktuar nga agresioni i Serbisë, që dëboi 1 milion shqiptarë, vrau mbi 12 000 civilë, në mesin e tyre mbi 1 300 fëmijë, kreu më shumë se 400 masakra, dhunoi rreth 20 000 gra dhe vajza, dogji qindra mijëra shtëpi, shkatërroi pasurinë, monumentet kulturore, fetare e historike, si dhe plaçkiti artefaktet. Kur Aleanca më e madhe e shteteve, e prirë nga NATO-ja, ndërhyri në Kosovë në vitin 1999, ajo e bëri këtë pas dekadave të diskriminimit e shtypjes nga Serbia, dhunës sistematike dhe spastrimit etnik të vazhdueshëm.
Rruga e Kosovës drejt pavarësisë u çel pas viteve të spastrimit etnik, burgosjeve e vrasjeve mbi baza etnike dhe abuzimeve masive të të drejtave të njeriut. Ndërsa ligjshmëria dhe legjitimimi ndërkombëtar i pavarësisë së Kosovës, i shpallur më 17 shkurt 2008, është vërtetuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, me vendimin e marrë në vitin 2010.
Kuvendi i Kosovës përkujton se shteti i Serbisë asnjëherë nuk është distancuar nga krimet dhe gjenocidi në Kosovë, si dhe ende heziton të nxjerrë para drejtësisë kriminelët e luftës. Në vend se Serbia të ishte e dënuara, sot Kosova dhe lufta e saj po gjykohen padrejtësisht.
Duke marrë parasysh vullnetin e fortë të popullit të Kosovës dhe konsensusin politik e shoqëror për integrim euroatlantik të Kosovës;
Në funksion të ruajtjes së paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor;
Kuvendi i Republikës së Kosovës, me propozimin e grupeve parlamentare nënshkruese, miraton këtë:
REZOLUTË
- Kuvendi i Republikës së Kosovës e dënon në mënyrën më të ashpër të mundshme agresionin dhe invazionin e paligjshëm, të paprovokuar dhe të pajustifikuar ushtarak të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, si dhe përfshirjen e Bjellorusisë në këtë agresion.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës renditet krahas aleatëve perëndimorë në mbështetje të Ukrainës dhe popullit të saj, si dhe e kundërshton fuqishëm qasjen dhe sjelljen pak vendeve të rreshtuara krah agresionit dhe terrorit rus ndaj Ukrainës, nisur nga fqinji ynë verior, Serbia.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet popullin dhe institucionet e Ukrainës, si dhe dënon vrasjet e civilëve dhe fëmijëve. Gjithashtu përshëndet fillimin e hetimeve nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për Krime Lufte dhe mbështet dërgimin e rastit nga Ukraina në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës mbështet vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe politike nga Qeveria e Republikës së Kosovës ndaj Federatës Ruse, në linjë me sanksionet e vendosura nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet demokratike.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që, krahas gatishmërisë për strehimin e 20 gazetarëve ukrainas, t’i koordinojë të gjitha veprimet e mëtutjeshme me partnerët ndërkombëtarë, si dhe të shpreh gatishmërinë për strehimin eventual të deri 5 000 (pesë mijë) refugjatëve nga Ukraina.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që të ndajë një fond të veçantë për ndihmë ndaj popullit ukrainas, sipas koordinimit ndërmjet të dy qeverive respektive, Kosovë – Ukrainë.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Republikës së Kosovës që, në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, t’i ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme për dorëzimin e kërkesës për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në NATO, në Bashkimin Evropian, në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës u bën thirrje NATO-s, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe organizatave të tjera ndërkombëtare ta shqyrtojnë kërkesën dhe të konsiderojnë rëndësinë për anëtarësim të Republikës së Kosovës.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës u bën thirrje vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, që në harmoni me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ta ndërmarrin sa më parë këtë akt politik – njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, e që është edhe në funksion të paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe në BE.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës i kërkon Qeverisë së Republikës së Kosovës që, në konsultim me misionin e NATO-s në Kosovë, t’i rishikojë dhe t’i shkurtojë afatet e parapara në planin 10-vjeçar të vitit 2018 për avancimin e FSK-së në ushtri të rregullt, përfshirë këtu edhe sigurimin e mbështetjes financiare të nevojshme për këtë qëllim.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës e udhëzon kryetarin e Kuvendit që, në koordinim me Qeverinë dhe partnerët ndërkombëtarë, t’u drejtohet institucioneve më të larta shtetërore të Spanjës, Rumanisë, Sllovakisë, Greqisë dhe Qipros, me ftesë për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës sa më parë, duke dhënë kështu kontribut të jashtëzakonshëm në funksion të paqes dhe të stabilitetit në rajon dhe në BE.
- Kuvendi i Republikës së Kosovës, duke marrë parasysh aspiratat tona të përbashkëta për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe konsolidimin e demokracisë dhe sigurisë në rajon, fton Parlamentin e Republikës së Shqipërisë, Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Parlamentin e Republikës së Malit të Zi, Parlamentin e Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohen në këtë nismë dhe të shprehen në mbështetje.
(r.m.)