Prishtinë, 9 shkurt 2023 – Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten në lexim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Kosovës për vitin 2023, me 63 vota ‘për’.
Bashkë me projektorligjin është miratuar edhe propozimi i qeverisë që koeficienti të ketë vlerë monetare prej 105 eurosh.
Me Ligjin e ri për pagat, niveli i koeficienteve është nga 2 deri në 18. Presidentes së shtetit i është caktuar koeficienti më i lartë, sipas të cilit ajo do të ketë pagën më të madhe.
Ligji për paga zbatohet për punonjësit e sektorit publik, pagat e të cilëve financohen nga buxheti i shtetit, me përjashtim të punëtorëve të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).
Janë rreth 83 mijë punonjës të sektorit publik që marrin pagë nga buxheti i shtetit.
Gjatë seancës së Kuvendit, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se shuma e tërësishme e kufirit për kategorinë e pagave nëse krahasohet me shpenzimin e vitit paraprak është rritur në vlerë prej 105 milionë euro. Sipas tij, rritje të tillë nuk ka pasur asnjëherë.
Me ndryshimin dhe plotësimin e këtij ligji, i cili përcakton edhe vlerën e koeficientit, janë pajtuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja, deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, tha se me rritjen e koeficientit parashihet që paga mesatare bruto në sektorin publik të jetë 730 euro në muaj apo 18 për qind rritje krahasuar me vitin paraprak.
Sipas tij, me koeficientet e rinj është krijuar një barazi në mesin e shërbyesve publikë.
“Një çështje tensioni tek pagat në sektorin publik ka qenë raporti disproporcional ndërmjet pagës më të lartë dhe asaj më të ulët. Sipas të dhënave që i kemi për vitin e kaluar paga më e lartë në sektorin publik ka qenë e drejtorit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vlerë 5.325 euro kurse më e ulëta ajo e shtëpiakut të shkollës fillore me 242 euro. Me propozimin ndryshimin e ligjit është që ngushtohet ky dallim me 1-5. Rroga më e lartë parashihet të arrijë në 1.890 euro e ajo me e vogla rreth 395 euro”, tha Muja.
Ai tha se Ligji për paga nuk parash zvogëlim të pagave për asnjë kategori për vitin e parë për shkak të propozimit të shtesës tranzitore.
Deputetët e partive opozitare e kundërshtuan vlerën e koeficientit, tëcilin e konsiderojnë të ulët.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, tha se në krizën më të madhe ekonomike dhe sociale, qeveria ka thyer premtimin për të ndihmuar njerëz të zakonshëm në rritjen e kostos së jetesës.
“Shporta bazë e konsumatorit – jo produktet e luksit por produktet që janë të domosdoshme – janë ngritur deri në 50 për qind”, tha Bajrami.
Ajo kritikoi Qeverinë e Kosovës se me këtë Ligj të pagave është prekur edhe sektori i drejtësisë që sipas saj, konsiderohet ndërhyrje e drejtpërdrejtë nga ana e ekzekutivit.
Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala, tha se koeficienti prej 105 eurosh nuk përbën rritje reale, por rritje numrash.
Shala tha se grupi parlamentar i PDK-së nuk pajtohet me këtë koeficient.
“Nuk do të kemi rritje sepse përfituesit do ta shohin atë kur të filloj shpërndarja e tyre. Kërkojmë që minimumi i kësaj të jetë 120 e më shumë në të kundërtën do të kemi shkallë të lartë të pakënaqësive dhe ankesave sepse këtu goditet një pjesë e mirë e sektorit të drejtësisë, sektori i sigurisë pothuasje në të gjitha nivelet”, tha ai.
Kosova e ka mbyllur vitin 2022 me një normë mesatare inflacioni prej 11.6 për qind.
Rritje kanë pësuar çmimet e pothuajse të gjitha produkteve ushqimore dhe shërbimeve.
Pritjet e sindikatave të punëtorëve kanë qenë që kjo vlerë të mos jetë nën 120 euro.
Me vlerën monetare të koeficienti prej 105 euro ata janë shprehur të zhgënjyer.
(r.m.)