Kuvendi i Kosovës shënon 31 vjetorin e Deklaratës Kushtetese

Prishtinë, 2 korrik 2021 – Kuvendi i Kosovës mbajti sot një seancë solemne me rastin e 31 vjetorit të Deklaratës Kushtetuese. Në seancë, pranë e pranë deputetëve të përbërjes aktuale të Kuvendit, u ulën edhe shumë prej ish-delegatëve të Kuvendit të Kosovës që më 2 korrik 1990 e kishin miratuar Deklaratën Kushtetuese, e cila shprehu vullnetin politik të popullit të Kosovës për shtet të pavarur e sovran.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e cilësoi veprimin e delegatëve të asaj kohe si aktin më të rëndësishëm dhe më të guximshëm të përfaqësuesve të popullit të Kosovës pas Konferencës së Bujanit.

“Më 2 Korrik të vitit 1990 delegatët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës e shpallën atdheun tonë Republikë. Në atë kohë, ky ishte akti më i rëndësishëm e më i guximshëm i përfaqësuesve të popullit qysh prej konferencës së Bujanit të vitit 1944”, tha Konjufca.

“Pikërisht para dyerve të Kuvendit të sotëm, delegatët e Kuvendit të atëhershëm e votuan Deklaratën e 2 Korrikut të cilën e lexoi Muharrem Shabani.

Kjo shpallje e Kosovës Republikë ndodhi në okupim.

Vendi ynë ishte i pushtuar dhe nën masat e ashpra represive të regjimit të Serbisë e Jugosllavisë së asaj kohe”, shtoi ai.

“Përmes shpalljes së Kosovës Republikë të pavarur nga Serbia, delegatët e 2 Korrikut ishim mishërues të vërtetë të vullnetit kolektiv të popullit tonë për liri dhe vetëvendosje. Mbi supet e tyre peshonte aspirata e kahmotshme e popullit tonë për mëvetësi”, theksoi Konjufca.

Kryetari i Kuvendit tha se shpallja e Deklaratës Kushtetuese, më 2 korrik 1990, përbën aktin e parë të kurorëzimit të vullnetitit politik të popullit të Kosovës për liri e pavarësi, që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

“Rëndësia sublime e 2 Korrikut merr kuptim të plotë sidomos po të shikohet nga konsekuencat politiko-juridike që pasuan në përpjekjet për çlirim dhe pavarësi. Më 7 shtator të vitit 1990 u miratua Kushtetuta e Republikës në Kaçanik. Kurse, prej 26 deri më 30 shtator të vitit 1991 u organizua referendumi në të cilin me vullnetin e mbi 99% të popullit Kosova u konfirmua si ‘shtet i pavarur e sovran’. Këto veprime konsistente politike tregonin përcaktimin e qartë e masiv të popullit shqiptar për liri”, u shpreh ai.

“Kurrë populli shqiptar i Kosovës nuk ka qenë më i bashkuar se rreth kësaj kauze të shenjtë. Por, në të njëjtën kohë, këto akte të materializimit së vullnetit të popullit ishin edhe shprehje e gatishmërisë kolektive për mosnënshtrim e për sakrificë. Lufta e drejtë e çlirimtare e UÇK-së ishte hallka e fundit e përpjekjes sonë që mori formë të armatosur për largimin e okupimit serb nga Kosova njëherë e përgjithmonë.

17 Shkurti i vitit 2008 i ka rrënjët në 2 Korrikun e vitit 1990”, theksoi kryeparlamentari Konjufca.

 Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu konsideratat më të larta për delegatët e Kuvendit të Kosovës që sot 31 vjet e miratuan Deklaratën Kushtetuese, pavarësisht kërcënimeve të aparatit represiv të Serbisë.

“Ne kujtojmë jo vetëm një veprim të përgjegjshëm, por edhe një përcaktim të vendosur për një të drejtë historike, të mohuar për dekada të tëra”, tha Osmani.

Ajo tha se Kosova e sotme është jetësim i Deklaratës Kushtetuese që e artikuloi vullnetin  politik të qytetarëve të Kosovës ndër dekada.

“Sot, Kosova është vend i lirë dhe sovran në kufijtë e 17 shkurtit dhe i tillë do të qëndrojë përgjithmonë, i orientuar qartë drejt integrimit euroatlanik dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, theksoi Presidentja Osmani.

Iliaz Ramajli, ish-kryetar i Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, në fjalën e tij, tha se shpallja e Deklaratës Kushtetuese ishte fryt i unitetit të fuqishëm të faktorit shqiptar dhe vendosmërisë për të jetësuar aspiratën e kahmotshme të shqiptarëve.

“Shpalljes së deklaratës i kishte paraparirë unifikimi i plotë i faktorit shqiptar në Kosovë”, theksoi  ai.

Ramajli nderoi 39 delegatët e përbërjes së atëhershme të Kuvendit të Kosovës që nuk jetojnë.

Pas fjalimeve, në Kuvend u transmetua një dokumentar për autorin e Deklaratës Kushtetuese, akademik Gazmend Zajmin.

(r.m.)