Podgoricë, 19 gusht 2022 – Në kuvendin e Malit të Zi të premten ka nisur debati rreth mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së Kryeministrit Dritan Abazoviq.
Nisma për t’ia hequr votëbesimin qeverisë ‘Abazoviq’ është kërkuar nga 36 deputetë të Partisë Demokratike të Socialistëve, të disa partive të koalicinonit qeveritar dhe të partive të tjera, pas nënshkrimit të Marrëveshjes Themelore me Kishën Ortodokse Serbe nga Abazoviqi. Nënshkruesit e kanë cilësuar këtë akt të Abazoviqit si veprim që do të shtojë tensionet ndëretnike në Mal të Zi dhe si heqje dorë nga “rrugëtimi i Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian”.
Nismëtarët e mosbesimit e kritikojnë qeverinë e Abazoviqit se “në vend se të ndjekë rrugën evropiane, po bën eksperimente politike”.
“Pas qeverisë së ekspertëve dhe (qeverisë) së pakicës, Mali i Zi nuk ka më kohë për eksperimente politike. Është koha që të kemi zgjedhje për një qeveri legjitime”, tha Daniel Zhivkoviq, përfaqësuesi i Partisë Demokratike Socialiste, të Presidentit Milo Gjukanoviq.
Kryeministri Abazoviq tha se kërkesa për rrëzimin e qeverisë së tij nuk ka të bëjë me proceset europiane, por me marrëveshjen që qeveria e tij arriti me Kishën Ortodokse Serbe.
“Ju e keni dorëzuar iniciativën për shkak të Marrëveshjes Bazë me Kishën Ortodokse Serbe. Ju thatë se ishte krim dhe tradhti ndaj interesave kombëtare dhe mos u fshihni pas evropianizmit tani”, tha zoti Abazoviq.
Marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe shkaktoi përplasje brenda koalicionit qeverisës që në fillim. Një pjesë e partive të koalicionit thanë se marrëveshja është kundër interesave kombëtare të Malit të Zi dhe nuk është në pajtim me kushtetutën dhe ligjet malazeze.
Shoqëria civile dhe opinionistë të pavarur shprehën vërejtje serioze në përmbajtjen e marrëveshjes.
Në fillim të gushtit, kryeministri Abazoviq i refuzoi zyrtarisht të gjitha kundërshtimet e shoqërisë civile, Akademisë së Shkencave të Malit të Zi dhe të institucioneve tjera shkencore, arsimore e kulturore në vend lidhur me tekstin e marrëveshjes me Kishën Ortofokse Serbe.
Për të rrëzuar qeverinë, e cila deri më tani ishte qeveri e pakicës, nevojiten votat e të paktën 41 deputetëve, nga gjithsej 81 deputetë sa ka Kuvendi i Malit të Zi.
Tash për tash, është e paqartë se cili do të jetë epilog, sepse Fronti Demokratik, si parti pro-ruse, Partia Demokratike e Aleksa Beçiqit dhe Partia Boshnjake nuk janë deklaruar ende se si do të votojnë. Për rëzimin e qeverisë nevojiten edhe të paktën pesë vota të këtyre partive.
Përfaqësuesit e Frontit Demokratik kërkuan ndërprerjen e seancës së sotme të Kuvendit dhe propozuan që partitë që ikishin fituar zgjedhjet parlamentare të gushtit të vitit 2020, ta formojnë një qeveri teknike, siç bënë dy vjet më parë.
Fronti Demokratik dhe Partia Demokratike kërkuan që një seancë tjetër parlamentare të mbahet më 2 shtator, për të debatuar një mocion tjetër mosbesimi, në qoftë se qeveria e kryeministrit Abazoviq i mbijeton votimit të sotëm.
Propozimi që mocioni i mosbesimit të hidhet në votim në muajin shtator është paraqitur nga 32 deputetë të këtyre dy partive. Ato e konsiderojnë arsye për këtë “humbjen e kapaciteteve funksionale dhe thellimin e krizës ekonomike” në Mal të Zi.
(Sipas Zërit të Amerikës)