Shkup, 13 shkurt 2023 – Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut të hënën, më 13 shkurt, ka nisur debati për ndryshimin e përbërjes së Qeverisë, përkatësisht zgjerimin e saj me partinë Aleancën për Shqiptarët, e cila deri tani ka qenë në opozitë.
Zgjerimi i Qeverisë dhe i shumicës parlamentare, sipas kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, që është edhe kryetari i Lidhjes Social Demokrate (LSDM), bëhet me qëllim të “ruajtjes së kursit evropian të Maqedonisë së Veriut përmes sigurimit të votave për ndryshimet kushtetuese”.
Ndryshimi i Kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj është obligim që del nga marrëveshja me Sofjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve dhe zhbllokimit e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Për të ndryshuar Kushtetutën nevojiten dy të tretat e votave, apo 80 nga 120 vota të deputetëve, ndërkohë shumica deri tani i kishte vetëm 64. Me përfshirjen e Aleancës për Shqiptarët, numri i deputetëve të shumicës rritet në 67, pasi tre deputetë të partisë Alternativa, të pakënaqur me pozitat në Qeveri, kaluan në opozitë.
Shumica parlamentare shpreson edhe në votat e opozitës maqedonase për sigurimin e votave të nevojshme.
“Aleanca për Shqiptarët ka pranuar përgjegjësinë për të mbështetur frontin evropian, ka vend për të gjithë nëse duan dhe nëse pranohen interesat mbipartiake. Ka vend edhe për Alternativën, siç e dinë edhe ata vetë. Ka vend edhe për të gjithë mbështetësit me qëllime të mira të së ardhmes evropiane të vendit. Numri dhe lloji i pozitave janë dytësore, gjëja e parë dhe e vetme për të cilën duhet të jemi bashkë dhe ajo që do të arrijmë dhe do të punojmë, janë interesat shtetërore”, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski, në fjalimin para deputetëve.
Halil Sponçe, në emër të deputetëve të Aleancës për Shqiptarët, tha se është me rëndësi të ruhet stabiliteti i Maqedonisë së Veriut dhe kjo, sipas tij, mund të arrihet përmes një qeverie stabile dhe funksionale.
Deputeti Snopçe tërhoqi vërejtjen për ndikime të jashtme, pa saktësuar se cilat janë ato.
“Është shumë e rëndësishme që kjo Qeveri të jetë funksionale. Nëse Qeveria është funksionale, atëherë mund të ketë shpresë…Kemi ndikime të ndryshme në vendin tonë. Disa anketa në vendin tonë janë shqetësuese. Gjëja më e rëndësishme është të përdorim vitin 2023 për vazhdimin e kursit tonë të integrimit evropian, që është garancia e vetme për të ardhmen tonë. Në të kundërtën, gjithçka mund të ndodhë”, tha Snopçe.
Por, deputetët e VMRO DPMNE-së, partisë opozitare maqedonase thanë se “zgjerimi i Qeverisë nuk ka për qëllim kursin evropian, por shpëtimin e Qeverisë për shkak të humbjes së shumicës”.
Nënkryetari i VMRO DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, akuzoi partinë Aleanca për Shqiptarët për “lojëra të dyfishta” dhe për “interesa personale të drejtuesve të saj”.
Nikollovski madje akuzoi drejtuesit të Aleancës edhe për korrupsion përmes pasurimit të paligjshëm.
“Nuk e njoh këtë Arben Taravarin [kryetar i Aleancës për Shqiptarët] me të cilin jam takuar në periudhën e kaluar. Prandaj pyes publikisht a është i shantazhuar dhe për çfarë shantazhi? A është natyra e shantazhit një shtëpi e bukur në një pjesë elitare të Shkupit, të cilën Arben Taravari e ka marrë si dhuratë?… Kjo është një Qeveri e korruptuar që fare nuk brengoset për integrimin evropian, por për interesat personale”, tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
Deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, tha se shumicës parlamentare duhet t’i bashkohen të gjitha partitë politike shqiptare, përkatësisht Lëvizja Besa dhe Alternativa.
“Ka shumicë të mjaftueshme, madje edhe përtej asaj që është e nevojshme dhe e domosdoshme për votim të Qeverisë. Me zgjerimin e Qeverisë po konkretizohet ideja për një front evropian. Dëshira jonë është edhe për Alternativën edhe për Besën dhe të gjithë ata që i bashkëngjiten ftesës për krijimin e një fronti të përbashkët evropian”, tha Ademi.
Aleanca për Shqiptarët në Qeverinë e re për ministër të Drejtësisë ka propozuar Krenar Llogën, për ministër të Shëndetësisë, Fatmir Mexhitin, dhe Azir Aliun për ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike. Kjo parti po ashtu do të ketë edhe dy poste të zëvendësministrave dhe shumë drejtorë të ndërmarrjeve e fondeve shtetërore.
Debati për zgjedhjen e tyre do të vazhdojë edhe ditën e martë për shkak të numrit të madh të deputetëve të paraqitur për fjalim.
(Isuf Kadriu, REL)