Kuvendi i Shqipërisë do të votojë nesër për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetajt

Tiranë, 13 korrik 2023 – Kuvendi i Shqipërisë vendosi që për kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit e krimit të organizuar (SPAK) për arrestimin e ish zëvendës-kryeministrit Arben Ahmetaj të votohet në seancën që do të mbahet nesër (e premte).

Votimi i kërkesës së SPAK-ut ishte caktuar për të hënën, por vendimi që kjo të bëhet nesër as snt të deputetëv të opozitës. Derisa në sallwn e Kuvendit po betohej deputeti i ri socialist që e zuri vendin e deputetit të dorëhequr të Krujës, Rrahman Rraja, deputetët e opozitës e bllokuan foltoren, duke kërkuar që kërkesa e SPAK-ut të hidhej në votim në seancën e sotme.

Fillimisht kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla kundërshtoi futjen në rendin e ditës të kërkesës për arrestimin e deputetit Ahmetaj, duke përmendur afatet, përmbajtjen e dokumentit dhe njoftimin e deputetit.

“Nuk mund të hedhim në votim një çështje, që nuk ka lëndë. A janë njoftuar deputetët përmes raportit të këshillit të mandateve? Jo. A është njoftuar deputeti? Jo, nuk është njoftuar. Regullorja parashikon dy javë kohë, por ne kemi vepruar në mënyrë shumë serioze dhe shumë dinjitoze në respect të drejtësisë dhe të regullave të parlamentit”, tha zonja Nikolla.

Pas protestave të opozitës, konferenca e kryetarëve të Kuvendit vendosi që seanca për votimin e kërkesës së SPAK-ut për ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj të mbahet nesër.

Opozita kërkoi që kryeministri Edi Rama të jetë i pranishëm në seancë plenare, dhe të hyjë në rendin e ditës dhënien e miratimit për arrestimit e ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi tha se kryeministri Rama është përgjegjës edhe në ngjarjen e dhunshme të Fushë Krujës, edhe në korrupsionin e ish zëvendës kryeministrit Ahmetaj.

“Pa mbështetjen e Edi Ramës nuk do të kishte leje Rrahman Rraja për gurore në Krujë. Pa mbështetjen e Edi Ramës Arben Ahmeti, Damian Gjiknuri, Lefter Koka dhe çdo ministër që është për të shkuar në burg për çështjen e incineratorëve nuk miratonte dot 17 vendime brenda ditës. Dhe ju flisni për procedura?! Për çfarë procedurash flisni ju?! A e keni lexuar dosjen e SPAK-ut?!”, tha zoti Bardhi.

Shumica dhe opozita kanë rënë dakort që t’i hapin rrugë kërkesës së Prokurorisë së posaçme për arrestimin e ish zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, por debatuan gjatë për datën e seancës së jashtëzakonshme.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, deklaroi se kërkesa e SPAK për të autorizuar arrestimin e zotit Ahmetaj u dorëzua në Kuvend në datën 10 korrik, edhe pse dokumenti mban datën 7 korrik.

“Pavarësisht nga abuzimet e këtyre ditëve, kërkesa është depozituar në Kuvend në datën 10 korrik, edhe pse mban sipër datën 7 korrik. Këshilli i legjislacionit ka zhvilluar shpejt dy mbledhje. Avokatët kanë kërkuar kohë, se është e drejta e tyre. U dhamë jo më shumë se një ditë kohë. Ndonëse rregullorja thotë se duhen dy javë kohë për raportin dhe dërgimin e tij deputetëve, ne po veprojmë shumë shpejt”, tha zonja Nikolla.

Ish zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj akuzohet për korrupsion, për fshehje apo mosdeklarim të pasurive dhe për pastrim parash.

Hetimet nxorën në pah lidhjet e tij të ngushta me sipërmarrësit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, përfituesit e koncensioneve për trajtimin  mbetjeve urbane në Elbasan, në Fier e në Tiranë.

Ahmetaj u largua nga vendi pak orë përpara se SPAK  të dorëzonte në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit tw deputetit.

(r.m.)