Kuvendi i Shqipërisë e fut me procedurë të përshpejtuar marrëveshjen sekrete për portin e Durrësit

Tiranë, 10 nëntor 2022Qeveria e Shqipërisë ia fal investitorit strategjik mbi 800 mijë metra katrorë truall dhe taksat për ndërtimin e “Marina & Jahtet e Durrësit” në zonën ku ndodhet porti mijëvjeçar i Durrësit.

Blerina Gjoka, BIRN

Kuvendi i Shqipërisë e miratoi të enten kërkesën e qeverisë për futjen për miratim me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për marrëveshjen e ndërtimit të Portit të Durrësit, një investim prej 2.1 miliardë eurosh që, sipas qeverisë do ta kthejë portin e vjetër në një atraksion turistik, me ndërtetsa të larta dhe me port jahtesh.

Qeveria e solli në parlament një projektligj me 6 nene dhe një relacion, por jo tekstin e marrëveshjes mes Ministrisë së Financnave dhe tri kompanive: Eagle Hills Real Estate Development, Albanian Seaports Development Company, sh.a. dhe Nshmi Development L.L.C, për projektin e investimit strategjik “Marina & Jahtet e Durrësit”.

Projektligji parashikon përjashtimin nga detyrimi për të paguar taksën e ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja dhe kontributin e strehimit social.

“Vlera e detyrimit të përjashtuar është pjesë e kontributit të shtetit shqiptar në investim, sipas marrëveshjes së përcaktuar në nenin 1, të këtij ligji”, thuhet në dokument.

Për realizimin e këtij investimi qeveria do t’ia falë “Albanian Seaports Development Company” pronat e paluajtshme shtetërore ku do të ndërtohet.

Po ashtu, qeveria merr përsipër dhënien e lejeve, licencave dhe akteve të tjera administrative të nevojshme për realizimin e projektit brenda një afati prej jo më shumë se 150 ditësh.

Në projektligj thuhet se së bashku me të janë edhe shtojcat e marrëveshjes, por deputetët e opozitës thanë se nuk është paraqitur asnjë dokument i tillë.  Ata e akuzuan qeverinë se po e mban sekret dhe po fsheh një “aferë korruptive”.

Kundërshtimi i opozitës për futjen e projektligjit me procedurë të përshpejtuar u përball me një lum epitetesh fyese dhe sharjesh nga kryeministri Edi Rama.

Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeajt, tha se ligji është me vlerën më të lartë që kishte kaluar në 30 vitet e demokracisë nuk mund të miratohej brenda një jave pa transparencë.

“Jeni duke prerë shiritin e një afere ekonomike që shumë shpejt mund të kthehet në një aferë korruptive”, deklaroi Alibeaj në Kuvend, duke ngritur pyetje mbi faljen e tokës shtetërore.

“Jeni duke shitur diku tej 1 milionë metër katror në zemër të Shqipërisë”, iu drejtua ai kryeministrit Edi Rama dhe aludoi se shuma e madhe e parave “do t’ua mbyllë gojën” shumë deputetëve, analistëve e organizatave të shoqërisë civile.

Ndërsa ish- kryeministri Sali Berisha tha se porti i Durrësit po shkatërrohet për interesa të Aleksandër Vuçiçit.

“Prapa aferës së Durrësit qëndron Karriç, i sanksionuar nga SHBA, BE dhe Britania e Madhe dhe që tani bëjnë biznes me holdingun e Emirateve të Bashkuara së bashku me Edi Ramën dhe Aleksandar Vuçiç”- akuzoi ai në Kuvend.

Në replikë, kryeministri Rama tha se investimi e transformon Durrësin në një nga pikat më të rëndësishme të turizmit në Mesdhe dhe se “nuk kemi kohë për të humbur se kemi më shumë se një vit që e negociojmë këtë kontratë”.

Rama i quajti opozitarët të “të pafytyrë”,”bedelë”, “pa fe”, “pa atdhe”, që sipas tij, akuzojnë “për pazar dhe për aferë një personalitet dhe një kompani nga më të mëdhatë e botës”.

Në relacionin shoqërues të projekt-ligjit bëhet një përshkrim i kushteve të marrëveshjes mes Ministrisë së Financave dhe kompanive investuese, ku bëhet e ditur krijimi i shoqërisë tregëtare “Albanian Seaports Development Company” me pjesëmarrës shtetin si partner.

Sipas qeverisë shteti do të ketë përfitim nga pjesëmarrja në këtë investim dhe do të ketë të mbrojtura kuotat e tij nga risku.

“Projekti i konceptuar si një projekt i integruar turistik do të bashkëzhvillohet në një sipërfaqe trualli prej 812 600  m2  në Portin e Durrësit si dhe në Marinën e portit.  Projekti do të zhvillohet në dy faza relativisht të ndara nga njëra-tjetra në hapësirë dhe në kohë, por që do të jenë të integruara në përfundim të projektit. Buxheti/kostoja e investimit të projektit është parashikuar të jetë €2,081,347,054”- thuhet në relacion.

Financimi i investitorit strategjik do të sigurohet, sipas relacionit,  përmes kombinimit të:              financimit të kapitalit nga Eagle Hills-i; financimit të borxhit të kontribuuar nga, ose në emër të, Eagle Hills-it; të ardhurave e shitjeve të grumbulluara prej klientëve nga investitori strategjik; huamarrjes nga institucionet financiare, dhe investimeve nga investitorë palë e tretë, të organizuara nga Eagle Hills-i.

Për garancitë e investimit, marrëveshja parashikon që Eagle Hills t’i dorëzojë qeverisë shqiptare pasqyrën e vërtetuar të llogarisë së bankës, ku evidentohet se aksionariët ose ortakët direkt ose indirekt mbajnë në llogaritë e tyre një shumë që korrespondon me tridhjetë për qind (30%) të financimit të nevojshëm për zhvillimin e projektit.

Në relacion parashikohet që marrëveshja për “Marinën Durrës” detyron investitorin strategjik që t’i paguajë shtetit një tarifë vjetore të barabartë me 2 për qind të xhiros vjetore që do të grumbullojë nga Marina, bazuar në pasqyrat financiare për çdo vit financiar.

(Reporter.al)