Kuvendi i Shqipërisë e rrëzon rezolutën e propozuar nga Berisha për dënimin e gjenocidit në Bosnjë

Tiranë, 12 maj 2022 – Kuvendi i Republikës e ka rrëzuar rezolutën e iniciuar nga ish-kryeministri Berisha dhe një grup deputetësh të Komisionit të Rithemelimit, për të dënuar genocidin serb në Bosnjë.

Me 51 vota kundër, Kuvendi vendosi që të vijojë me rendin e ditës të miratuar në Konferencën e Kryetarëve dhe të rrëzojë propozimin e ish-kryeministrit Berisha për dënimin e masakrës së Srebrenicës.

“Nuk miratohet, janë 51 vota kundër dhe 15 vota pro”, tha Lindita Nikolla

Më herët kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, e bëri të qartë se maxhoranca nuk do i japë kurrë mbështetje nismave që vijnë nga Komisioni i Rithemelimit i përfaqësuar nga Sali Berisha.

“Po ne mund të biem dakord të bëjmë rezolutë për të gjithë këtë çështje por kurrë një rezolutë që të vijë me firmën tënde të botës së përtejme. Ti nuk merr dot asnjëherë asnjë mbështetje asnjë propozim këtu katër vite sa të jesh këtu nuk do jesh katër po nejse, do flasim”, tha Balla.

 

Deputeti i PD-së Tritam Shehu e cilësoi si “të shëmtuar” votimin e mazhorancës kundër miratimit tërezolutës.

“E shëmtuar. Është një votim që na vendos një damkë të rëndë përpara botës demokratike, Këta zotërinj sot nuk e pranojnë rezolutën. Parlamenti Europian ka kohë që e ka caktuar datën 11 korrik për të kujtuar viktimat. Në parlamentin shqiptar ne nuk e kemi kaluar asnjë rezolutë. Përse? Çfarë fsheh kjo? Është vepër e shëmtuar, një shfaqje e paprecedencë, një shfaqje turpi”, tha Shehu.

(Sipas Panorama dhe Balkanweb)