Tiranë, 7 korrik 2021 – Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi sot drejtuesin e ri të Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), pavarësisht shqetësimeve të mëdha të institucioneve ndërkombëtare, opozitës dhe organizatave e asociacioneve të gazetarëve, raportojnë mediet në Tiranë.
Në krye të këtij institucioni,në seancën e fundit të përbërjes së deritashme të Kuvendit, u zgjodh ish zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Krasniqi, drejtuese aktuale a agjencisë shtetërore të lajmeve, ATSH.
Votimi për zgjedhjen e drejtuesit të ri të AMA-s u parapri nga disa deklarata të institucioneve ndërkombëtare, të cilat shprehnin shqetësimin rreth kësaj vendimmarrjeje.
Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, vuri në dukje se “autoritetet rregullatore të mediave duhet të punojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe me një legjitimitet të njohur nga të gjithë”.
“Bashkimi Evropian ka rishikuar Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audiovizive dhe ka paraqitur kërkesa të reja për pavarësi për rregullatorët kombëtarë të mediave, përfshirë detyrimin për të vendosur procedura transparente dhe të pavarura për emërimin dhe shkarkimin e kryetarit dhe anëtarëve të bordit të këtyre autoriteteve”, thuhej në deklaratën e BE-së.
Në deklaratë theksohej se “ky legjislacion është pjesë e ‘acquis’ të BE-së të cilin ajo (Shqipëria) duhet të përshtasë”.
Autoriteteve të Shqipërisë u bëhej thirrje “të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht”.
“Është e rëndësishme të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s”, theksohej në deklaratën e BE-së.
Shqetësimin e Bashkimit Europian e shprehu edhe prania e OSBE-së në Shqipëri, e cila theksoi nevojën “për një organ të pavarur të rregullimit të medias”.
“Ne nënvizojmë rëndësinë e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të rinj të AMA-s, për të garantuar që AMA ta përmbushë më së miri misionin e saj të ndjeshëm”, theksoi OSBE-ja.
Por këto shqetësime nuk u morën në konsideratë nga shumica në Kuvend, qëndrimi i së cilës u bë i qartë që para votimit, nga kreu i grupit socialist Taulant Balla.
“Është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë që të garantojë vijimësinë e ushtrimit të detyrës së tyre çdo institucion që varet prej tij. Ne kemi miratuar një rezolutë për AMA-n para pak ditësh. Procesi për zgjedhjen e kreut të këtij institucioni është zhvilluar prej shumë javësh, sipas të gjitha procedurave parlamentare. Po kjo procedurë parlamentare e detyron Kuvendin, që vendimin e Komisionit ta shqyrtojë sot dhe ta votojë”, u shpreh Balla.
Në fund të votimit rezultoi se Armela Krasniqi doli fituese ndaj kandidates tjetër, juristes Alketa Dibra.
Zonja Krasniqi, e cila i mori83 vota, ka qenë zëdhënëse e Partisë Socialiste dhe drejtuese e zyrës së shtypit të Kryeministrit Edi Rama.
Pikërisht e kaluara e saj bëri që dhe opozita ta akuzonte kryeministrin Rama për “kapjen” e një tjetër institucioni të pavarur.
Pak ditë më pare, edhe Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt (Safe Journalists), që i bashkon shoqatat e gazetarëve të vendeve të Ballkanit, shprehu shqetësimin për “pavarësinë dhe profesionalizmin” e dy kandidaturave për kryetar të AMA-s.
“Këto dy kritere janë thelbësore për lirinë e medias dhe për proceset demokratike në Shqipëri”, thuhej në letrën e këtij asociacioni dërguar kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
Në letër viheshin në dukje edhe mangësitë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar të AMA-s.
“Procesi është formal, pa konkurrencë kuptimplotë dhe i kryer me nxitim brenda parlamentit aktual, mandati i të cilit skadon së shpejti, njëkohësisht pa prezencën një opozite të mirëfilltë”, thuhej në letër.
AMA u vu në qendër të vëmendjes kur Qeveria e propozoi “Paketën Antishpifje, e cila i jepte këtij institucioni kompetenca të gjera për vendosjen e kontrollit mbi mediat online. Pavarësisht kritikave ndërkombëtare, socialistët vijuan me procesin e miratimit, por u tërhoqën pasi çështja i kaloi Komisionit të Venecias, i cili sugjeroi rishikimin e plotë të paketës. Komisioni i Venecias vlerësoi se këto masa të qeverisë mund të cenonin lirinë e shprehjes në Shqipëri.
Qeveria nuk ka vazhduar më tutje me procedurën e miratimit të “Paketës Antishpifje. Por, organizata ndërkombëtare për mbrojtjen e lirisë së medies, “Reporterët pa kufij” ngre shqetësimin për shkak se ky ligj nuk është tërhequr nga procedura.
(r.m.)